Loading

Ka thënë dijetari i madh Abdul-Aziz ibnu Baz -Allahu e mëshiroftë-:

…Ajo që bie detyrë mbi të gjithë banorët e tokës që kanë arritur moshën e pubertetit dhe janë të aftë mendërisht është që ta adhurojnë Allahun të Vetëm dhe të thonë:

LA ILAHE IL-LALLAH

Nuk ka të adhuruar që meriton adhurimin përveç Allahut dhe të dëshmojnë

MUHAMED RESULULLAH,

pra të dëshmojnë se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Duhet ta veçojnë Allahun (në adhurimet e tyre si psh) në lutjet e tyre, në frikën, në shpresën, në ndihmën, në agjërimin, në namazin dhe në pjesën tjetër të adhurimeve.

Gjithashtu, tauafi (rrotullimi rreth Qabes) është ibadet. Bëhet tauaf rreth Qabes si një mënyrë për t’u afruar tek Allahu, pra si adhurim ndaj Tij, të Vetëm. I Pastër nga të metat dhe i Lartësuar është Ai!

Të gjithë duhet të kenë kujdes që mos të bëhen lutës të të tjerëve veç Allahut, si psh të banorëve të varreve, idhujve, profetëve etj. Adhurimin e meriton vetëm Allahu dhe nuk lejohet për askënd që t’ua drejtojë adhurimin të tjerëve veç Tij. I Pastër nga të metat dhe i Lartësuar është Ai!

Adhurimi është emër (koncept) i përgjithshëm i cili përfshin çdo fjalë dhe çdo vepër që Allahu e do dhe me të cilën kënaqet, qofshin të dukshme apo të fshehta.

Namazi është adhurim, agjërimi është adhurim, lëmosha është adhurim, Haxhi është adhurim, frika ndaj Allahut është adhurim, shpresa tek Ai është adhurim, zotimi është adhurim, sakrifica (kurbani) është adhurim.

E kështu, nuk kërkon ndihmë vetëm se prej Allahut, i Pastër nga të metat dhe i Lartësuar është Ai, sepse Ai është Krijuesi i tij (njeriut) dhe i Adhuruari i tij është i Vërteti, i Pastër nga të metat dhe i Lartësuar është Ai!

Allahu i dërgoi të gjithë të dërguarit me këtë, nga i pari deri tek i fundit. Duke nisur nga i pari – i cili është Nuhu- e deri tek i fundit -që është Muhamedi – salatet dhe selamet më të mira qofshin për ta, të gjithë i kanë ftuar njerëzit në Veçimin e Allahut në adhurim. Ka thënë Ai -azze ue xhel’le-:

{وَلَقَدْ بَعَثْنَا فِي كُلِّ أُمَّةٍ رَّسُولاً أَنِ اعْبُدُواْ اللهَ وَاجْتَنِبُواْ الطَّاغُوتَ}

{Ne kemi dërguar në çdo popull të dërguar që t’u thotë: adhurojeni Allahun dhe largojuni tagutit (çdo gjë që adhurohet në vend të Allahut)}

Dhe ka thënë Ai i Cili është larg nga të metat:

وَمَا أَرْسَلْنَا مِن قَبْلِكَ مِن رَّسُولٍ إِلَّا نُوحِي إِلَيْهِ أَنَّهُ لَا إِلَهَ إِلَّا أَنَا فَاعْبُدُونِ

{Ne nuk kemi dërguar asnjë të dërguar para teje (o Muhamed ﷺ) pa i shpallur atij se s’ka të adhuruar që meriton adhurimin përveç Meje, andaj më adhuroni (vetëm) Mua!}

Ai -lavdi dhe shpëtimi i Allahu qoftë mbi të- u thoshte banorëve të Mekës:

«يا قوم قولوا لا إله إلا الله تفلحوا»

«O njerëz, thoni “La ilahe il-lAllah” (Nuk ka të adhuruar që meriton adhurimin përveç Allahut) që të shpëtoni!»

Kjo është detyra mbi të gjithë ata që janë të aftë mendërisht dhe që kanë arritur moshën e pubertetit, qoftë prej burrave apo grave, prej joarabëve apo arabëve, prej xhinnëve dhe njerëzve, në të gjithë tokën e Allahut. Bie detyrë mbi ta që ta adhurojnë vetëm Allahun dhe të thonë “La ilahe il-lAllah” dhe ta veçojnë Atë në adhurim…

مجموع فتاوى ومقالات الشيخ ابن باز” (28 /178)” 📚

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: