Loading

  • Është vërtetuar prej hadithit të Ubej bnu Ka’bit -radij Allahu anhu- se profeti ﷺ e bënte duanë në namazin e vitrit përpara rukusë.
  • Është vërtetuar nga Umer bnu Hatab -radij Allahu anhu- se ai e bënte kunutin në vitër përpara Rukusë dhe e urdhëroi Ubejin që t’u prijë njerëzve në namaz gjatë Ramazanit dhe ta bëjë duanë e kunutit në gjysmën e mbetur të Ramazanit.
  • Është vërtetuar nga Ubej bnu Kabi -radij Allahu anhu- se ai e bënte kunutin në Ramazan në gjysmën mbetur prej tij dhe e bënte atë pas rukusë.
  • Është vërtetuar nga ibn Mes’udi dhe shokët e profetit ﷺ se ata e bënin kunutin në namazin e vitrit përpara rukusë.
  • Është vërtetuar nga ibnu Umeri -radij Allahu anhu- se ai e bënte kunutin e vitrit vetëm në gjysmën e Ramazanit dhe e bënte atë përpara rukusë.

Çështje të rëndësishme në lidhje me kunutin e vitrit:

Çështja e parë: lejohet kunuti në namazin e vitrit përgjatë vitit dhe nuk është i veçantë për vitrin në Muajin e Ramazanit dhe kjo është përcjellë prej shumicës së sahabëve -radij Allahu anhum-.

Porse sunneti është që të mos bëhet vazhdimisht, herë bëhet dhe herë lihet dhe është i vërtetuar vazhdimi i tij në Muajin e Ramazanit pas gjysmës së parë të tij, ndërsa në gjysmën e parë është sunnet që të lihet, veçanërisht nëse është imam.

Ka thënë el-Hasen el-Basri -rahimehullah-: nëse është imam e bën kunutin në gjysmën e Ramazanit dhe nëse nuk është imam e bën duanë përgjatë gjithë muajit.

Çështja e dytë: ajo që është më e preferuar është se kunuti lejohet përpara rukusë pas recitimit të Kur’anit dhe lejohet pas rukusë, por më e mira është që të bëhet përpara rukusë pasi kjo është përcjellë nga profeti ﷺ dhe nga shumica e sahabëve.

Çështja e tretë: lejohet tekbiri përpara duasë së kunutit, nëse është përpara rukusë, mbaron me recitimin e Kur’anit jep tekbir dhe më pas bën kunutin, kjo është vërtetuar nga Umeri, Aliu dhe el-Bera’e -radij Allahu anhum- në kunutin që bëhet në rast fatkeqësie në namazin e sabahut.

Çështja e katërt: lejohet në duanë e kunutit ngritja e duarve dhe lëshimi i tyre, ngritja e tyre në fillimin e saj dhe lëshimi i tyre në fund, e gjitha kjo është e lejuar, sepse është vërtetuar nga sahabët se ata e kanë bërë një gjë të tillë.

Është vërtetuar nga disa sahabë se ata i ngrinin duart në kunut deri në gjoks dhe muslimani duhet t’i ndjekë ata dhe të mos e tejkalojë në ngritjen e duarve.

Çështja e pestë: nuk lejohet fshirja e fytyrës me duar pas duasë, për shkak se kjo nuk është vërtetuar, madje disa dijetarë e kanë konsideruar këtë gjë prej bidateve dhe shpikjeve.

Çështja e gjashtë: lejohet për imamin thënia e duasë së kunutit me zë dhe thënia amin nga falësit për duanë që bën imami.

Çështja e shtatë: lejohet për muslimanin që të bëjë dua për çfarëdo që dëshiron në duanë e vitrit, porse më e mira është që të lutet me atë që ka ardhur në sunnet.

Çështja e tetë: nuk lejohet zgjatja e duasë se kunutit, çdo gjë që është përcjellë nga profeti ﷺ dhe sahabët tregon se duaja e kunutit ka qenë e shkurtër.

Në duanë e kunutit nuk ka gjë nëse dërgohen bekime për profetin ﷺ.

📚 Përmbledhje nga broshura e shkruar nga shejh Muhamed Bazmul me titull: “El-Ehadithu uel Etharul uarideh fij kunutil uitër riuajeten ue dirajeten”.

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: