Ka thënë el-al’lameh ibnu Uthejmin -Allahu e mëshiroftë-:
Leximi me zë në namazet ku lexohet me zë nuk është detyrë, por është e pëlqyer, nëse njeriu lexon pa zë në atë që është e ligjësuar për t’u lexuar me zë, namazi i tij nuk është i kotë, sepse Profeti ﷺ ka thënë:
«Nuk ka namaz për atë që nuk lexon Fatihanë»
Dhe nuk e caktoi këtë lexim që të jetë me zë apo pa zë.
Nëse njeriu lexon me zë apo pa zë atë që duhet të lexohet, atëherë ai ka ardhur me atë që është detyrë, mirëpo më e mira është leximi me zë në atë që është sunnet për t’u lexuar me zë, në ato namaze që janë të njohura, siç është namazi i sabahut dhe i Xhumasë.
Nëse njeriu e bën me qëllim që të lexojë pa zë dhe është imam, atëherë namazi i tij është i saktë, mirëpo është i mangët.
Sa i takon atij që falet vetëm, nëse do të fal namazet ku lexohet me zë, atëherë ai zgjedh në mes leximit me zë ose leximit pa zë, shikon cila është më e frytshme për të dhe më afër frikërespektit dhe i jep përparësi.
Nëse harron leximin në namazet me zë, atëherë bën sexhden e harresës, por jo si detyrim, sepse edhe kur e bën me qëllim kjo nuk e prish namazin, çdo fjalë apo vepër që nuk e prish namazin kur bëhet me qëllim, qoftë ajo kur e lë apo e vepron atë (fjalë apo vepër), atëherë ajo nuk e bën të detyrueshme sexhden e harresës.
📚 مجموع الفتاوى الورسائل” (٧٣/١٣)”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema