Thotë hafizi ibnu Kethiri në tefsirin e tij:
Ka thënë El-Bukharī: rrëfen Muhamed ibnu Beshāri prej Muhamed ibnu Xhe’aferrit, Muhamed ibnu Xheaferri prej Shu’be-s, Shu’bja nga Amri, Amri nga Mus’abi: e pyeta tim atë -dmth Sa’d ibnu ebī Uekkāsin (radijAllahu anhu)- për ajetin:
قُلْ هَلْ نُنَبِّئُكُمْ بِالأخْسَرِينَ أَعْمَالا
{Thuaj (o Muhamed ﷺ): a doni t’ju tregoj për humbësit më të mëdhenj në vepra?}
A janë ata haruritë (khauarixhët)?
Tha: jo, ata janë jehudët dhe të krishterët: sa i përket jehudëve, ata e përgënjeshtruan Muhamedin ﷺ; sa i përket të krishterëve, ata e përgënjeshtruan Xhennetin dhe thanë: në të nuk ka as ushqim, as pije.
Haruritë janë ata të cilët e shkelin besën e Allahut pasi e kanë dhënë atë.
Sa’di -Allahu qoftë i Kënaqur prej tij- i quante ata “shkelës të urdhrave të Allahut”.
Kanë thënë Alī ibnu ebī Tālib, ed-Dahhāk dhe jo vetëm (në lidhje me ajetin): ata janë haruritë.
Kuptimi i kësaj nga Aliu -Allahu qoftë i Kënaqur prej tij- është se ky ajet fisnik përfshin si haruritë, ashtu edhe jehudët, të krishterët etj. Pra, ai ajet nuk ka zbritur posaçërisht për ata, por është më i përgjithshëm. Vërtet, ky ajet ka zbritur në Mekë, përpara se Allahu t’u drejtohej jehudëve dhe të krishterëve, dhe përpara shfaqjes së khauarixhëve.
Ajeti është i përgjithshëm dhe përfshin çdokënd që Allahun e adhuron sipas një rruge me të cilën Ai nuk është i Kënaqur; dhe mendon se ia ka qëlluar e se vepra e tij është e pranuar, ndërkohë që në realitet ai është gabimtar dhe vepra e tij është e refuzuar!
📚 Tefsir Ibnu Kethir
Përktheu: Abdur-Rahman Mema