Al-lameh Sulejman er-Ruhejlī hafidhahullah:
Sot nuk e di se ç’na ka gjetur!
Dikush prej nesh është bërë vërtet i nxituar! Për të këqija, nxiton, mirëpo për hajër, e gjen përtac! Ue la haule ue la kuuete il-la bil-lah!
Dikush prej nesh, sa ta dëgjojë një fjalë, e përhap nëpërmjet këtyre aparateve dhe ajo arrin në çdo cep të botës; e gjithë kjo pa treguar kujdes, pa e vërtetuar, pa e medituar dhe pa e parë këtë çështje nga ana e fik’hut në këtë kapitull.
O vëllezër, është nevoja për kujdes, mosngutje dhe verifikim, sepse e mira nuk është bërë dhe e keqja tashmë është bërë! Disa njerëz vijnë, dëgjojnë që filani ka bërë një të keqe dhe e sulmojnë: “Përse bërë kështu?! Ti bërë kështu e ashtu!”
Nuk e vërtetojnë a e ka bërë apo nuk e ka bërë atë gjë!
Shikoni o vëllezër, hyri një burrë ditën e Xhuma dhe u ul ndërkohë që Profeti ﷺ po mbante khutbe; dhe xhamia nuk ishte e madhe. Hyri dhe u ul. Çfarë bëri Profeti ﷺ?
Nuk i tha atij: “Ngrihu dhe falu!”, por ai ﷺ i tha: “A u fale? A u fale?” Ai ﷺ u sigurua, a e la ky burrë namazin -kam për qëllim tehijetul mesxhid- apo nuk e la. Kur ai radijAllahu anhu tha: “Jo”, i tha: “Ngrihu dhe fal dy rekate!”
Kështu pra duhet të sillet ai që urdhëron për të mirë dhe ndalon nga e keqja: të sigurohet dhe të tregohet i kujdesshëm; të jetë kjo e ngritur mbi një bazë madhështore o vëllezër, e cila është: origjina te muslimani është drejtësia; origjina te muslimani është hajri, derisa të vërtetohet e kundërta; kam për qëllim nga ana e veprës. Kështu që kjo çështje është çështje e madhe, të cilën duhet ta kuptojmë.
Disa njerëz dëgjojnë nga vëllai i tyre një fjalë, nuk meditojnë rreth saj dhe as nuk e vërtetojnë, por e shpërndajnë dhe ajo qarkullon në të gjithë botën; pastaj marrin vesh që nuk paska qenë e vërtetë! Më pas mund të shkruajnë se ajo nuk është e vërtetë, mirëpo disa njerëzve mund t’u arrijë lajmi i rremë, por nuk u arrin përgënjeshtrimi.
Të parët tanë të devotshëm o vëllezër kujdeseshin për fjalët dhe për verifikimin e gjërave. Tregohet se imam Māliku rahimehullah, kur haxhinjtë vinin si vizitorë në Medine, ndalonte nga të folurit. U pyet për këtë dhe tha: “Më vjen banori i Shamit nga Shami, jemenasi nga Jemeni, dhe irakeni nga Iraku. Ndoshta unë mund të them një fjalë e më pas të më duket se diçka nuk shkon në atë fjalë. E ku t’i gjej pastaj?!”
Për këtë arsye o vëlla që urdhëron për të mirë dhe që ndalon nga e keqja, duhet t’i verifikosh gjërat në lidhje me këtë çështje të rëndësishme.
Përktheu: Abdur-Rahman Mema