Ka thënë Junus ibnu Abdul E’ala:
Një ditë Esh-Shafi’ī rahimehullah më tha:
O Junus! Nëse të vjen një lajm që nuk të pëlqen në lidhje me një shok tëndin, i mjeri ti nëse nxiton për ta armiqësuar dhe për ta ndërprerë miqësinë me të! I mjeri ti nëse bëhesh prej atyre që e largojnë sigurinë me dyshim! Shko takoje dhe thuaji: Më kanë njoftuar për ty këtë e atë.
Dhe ki kujdes të mos e përmendësh emrin e atij që të ka njoftuar! Nëse ai e mohon atë gjë, thuaji: Ti je më i besueshëm dhe më i devotshëm.
Dhe mos shto asgjë përveç kësaj. Nëse ai e pranon dhe gjen për të ndonjë mundësi arsyetimi, pranoje; nëse nuk e sheh një gjë të tillë, thuaji: Çfarë kishe për qëllim me atë që më kanë njoftuar rreth teje?
Nëse ai të përmend një arsyetim, pranoje; dhe nëse nuk e sheh një gjë të tillë për ta arsyetuar dhe të ngushtohet shtegu, në këtë rast ia provove të keqen që ai ka vepruar.
Pas kësaj ti ke mundësi të zgjedhësh: nëse dëshiron, ia kompenson me të njëjtën, gjë pa shtuar; dhe nëse dëshiron, e fal; dhe falja është më afër devotshmërisë dhe më e mirë në bujari; kjo për shkak të Fjalës së Allahut të Lartësuar:
{وَجَزَاءُ سَيِّئَةٍ سَيِّئَةٌ مِّثْلُهَا فَمَنْ عَفَا وَأَصْلَحَ فَأَجْرُهُ عَلَى اللهِ }
{Shpërblimi i së keqes është me një të keqe si ajo; dhe ai që fal dhe pajtohet, shpërblimi i tij është tek Allahu…}
Nëse egoja jote të çon te dëshira për kompensim, kujto të mirat t’i ka bërë dhe mos e nënvlerëso të mirën e tij me këtë të keqe; me të vërtetë, kjo është vetë padrejtësia! Një njeri i devotshëm thoshte: Allahu e mëshiroftë atë që ma kompenson të keqen që i kam bërë, pa e shtuar dhe nuk e nënvlerëson të drejtën time!
O Junus, nëse ke një shok, shtrëngoje fort, sepse gjetja e një shoku është e vështirë, ndërsa ndarja me të është e lehtë!
📚 صفة الصفوة” (٢٥٢/٢ – ٢٥٤)”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema