Loading

1- Mirësia që ka agjërimi Ditën e Arafatit

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Shpresoj nga Allahu që agjërimi i Ditës së Arafatit të jetë shkak për faljen e gjynaheve të vitit të kaluar dhe atij të ardhshëm.”

[Transemeton Muslimi]

•┈┈┈┈•✿❁✿•┈┈┈┈•

2- Përse agjërimi i ditës së dhjetë të muajit Muharem është shkak për faljen gjynaheve të nje viti, ndërsa Dita e Arafatit është shkak për faljen e gjynaheve të dy viteve?

Ibnul Kajjim rahimehullah:

Së pari, Dita e Arafatit është në muajin e ndaluar, ndërsa para tij është një muaj i ndaluar dhe pas tij është një tjetër muaj i ndaluar; e gjithë kjo në ndryshim me ditën e dhjetë të muajit Muharrem. Së dyti, agjërimi i Ditës së Arafatit është nga veçoritë e Sheriatit tonë, në ndryshim me ditën e dhjetë të muajit Muharrem. U dyfishua me mirësinë e Allahut dhuruar Mustafait ﷺ.

📚 “Bedai’ul Feuaid” (4/211)

•┈┈┈┈•✿❁✿•┈┈┈┈•

3- Përse është emërtuar Dita e Arafatit me këtë emër?

Ibnul Xheuzij rahimehullah:

Së pari, sepse Xhibrili alejhis selam i tregonte Ibrahimit alejhis selam ritualet e Haxhit dhe i thoshte: Arafte (përkthimi: i mësove ritualet e Haxhit).

Së dyti, sepse Ademi dhe Havaja alejhimas selam u njohën aty.

📚 “Keshful Mushkil” (2/156)

•┈┈┈┈•✿❁✿•┈┈┈┈•

4- Si i fal Allahu gjynahet e vitit të ardhshëm me agjërimin e Ditës së Arafatit?

El-Menauij rahimehullah:

1) E ruan personin që të mos bëjë gjynah atë vit;

2) I dhuron prej shpërblimit aq sa është falje për gjynahet e atij viti;

3) Ose i fal ato në të vërtetë, edhe nëse bie në ato gjynahe dhe falja e gjynaheve për shkak të agjërimit të Ditës së Arafatit i paraprin gjynaheve.

📚 “Fejdul Kadir” (4/230)

•┈┈┈┈•✿❁✿•┈┈┈┈•

5- Cila është urtësia në dhënien përparësi të Ditës së Arafatit ndaj ditës së dhjetë të muajit Muharrem?

Ibnu Haxher rahimehullah:

Agjërimi i Ditës së Arafatit është më i mirë se agjërimi i ditës së dhjetë të Muharremit. Është thënë se urtësia qëndron në faktin se dita e dhjetë e Muharremit i atribuohet Musës alejhis selam, ndërsa Dita e Arafatit i atribuohet Profetit Muhamed ﷺ. Për këtë arsye është më e mirë.

📚 “Fet’hul Barij” (4/249)

•┈┈┈┈•✿❁✿•┈┈┈┈•

6- Falja e gjynaheve për të dy vitet a është për të mëdhatë apo të voglat?

Shejkh Ibnul Uthejmin:

Agjërimi i Ditës së Arafatit i shlyen gjynahet e vitit përpara tij dhe ato të vitit të ardhshëm, ama kjo vlen vetëm për gjynahet e vogla, ndërsa të mëdhatë patjetër kanë nevojë për pendim të veçantë.

📚 “Fetaua Nurun aled Derb”

•┈┈┈┈•✿❁✿•┈┈┈┈•

7- Çfarë gjykimi ka agjërimi i Ditës së Arafatit kur personi nuk është në Haxh?

Shejkh Ibnul Uthejmin rahimehullah:

Personi që nuk është në Haxh agjërimin e Ditës së Arafatit e ka sunnet të fortë.

📚 “Mexhmu’ul Feteua” (20/46)

•┈┈┈┈•✿❁✿•┈┈┈┈•

8- A i lejohet agjërimi i Ditës së Arafatit atij që ka lënë ditë mangët gjatë Ramadanit?

Shejkh Ibn Baz rahimehullah:

Nëse ka ditë mangët, fillon me agjërimin e tyre; nëse agjëron ditën e lënë mangët të Ramadanit në Ditën e Arafatit, kjo është më e mirë. E njëjta vlen -gjatë nëntë ditëve (të Dhul Hixhes)- edhe për ditët e tjera të Ramadanit të lëna mangët.

📚”Mexhmu’ul Feteua” (15/406)

•┈┈┈┈•✿❁✿•┈┈┈┈•

9- A lejohet me një nijet të vetëm, agjërimi i ditës së lënë në Ramadan bashkë me agjërimin e nafiles? Po ashtu, a lejohet me një nijet të vetëm, agjërimi i Ditës së Arafatit me ditën e lënë mangët gjatë Ramadanit?

Shejkh Ibnul Uthejmin:

Nëse është për qëllim që të agjërosh Ditën e Arafatit bashkë me ditën e lënë gjatë Ramadanit, ose ditën e dhjetë të Muharremit bashkë me ditën e lënë, pra, të agjërosh ditën e lënë mangët (të Ramadanit) në Ditën e Arafatit ose në ditën e dhjetë të Muharremit, nuk ka problem. E merr shpërblimin.

📚 “Mexhmu’ul Feteua” (20/49)

•┈┈┈┈•✿❁✿•┈┈┈┈•

10- A lejohet në Ditën e Arafatit agjërimi i ditës së lënë mangët gjatë Ramadanit?

Komisioni i Përhershëm për Fetva:

Lejohet agjërimi i ditës së lënë gjatë Ramadanit në Ditën e Arafatit, nëse bën nijet për ditën e lënë.

📚 “Feteual Lexhnetid Daimeh” (10/347)

•┈┈┈┈•✿❁✿•┈┈┈┈•

11- A lejohet bashkimi i nijetit midis agjërimit të tri ditëve të çdo muaji dhe agjërimit të Ditës së Arafatit?

Shejkh Ibnul Uthejmin rahimehullah:

Qëllimi i agjërimit të Ditës së Arafatit është që kur të vijë ajo ditë, ti të jesh agjërueshëm, qoftë nëse ke bërë nijet për tri ditët që agjëron çdo muaj, qoftë nëse ke bëre nijet për Ditën e Arafatit, ama nëse bën nijet vetëm për Ditën e Arafatit, nuk merr shpërblimin e tri ditëve; nëse bën nijet për të agjëruar një ditë prej tri ditëve, e merr shpërblimin për Ditën e Arafatit; dhe nëse bën nijet bashkimin, atëherë kjo është më e mirë.

📚 “Mexhmu’ul Feteua” (14/20)

•┈┈┈┈•✿❁✿•┈┈┈┈•

12- A lejohet i vetëm agjërimi i ditës së Xhuma nëse qëllon Ditën e Arafatit?

Komisioni i Përhershëm për Fetva:

Lejohet agjërimi i Ditës së Arafatit nëse qëllon ditën e Xhum’ah, qoftë edhe pa agjëruar një ditë përpara saj.

📚 “Feteual Lexhnetid Daimeh” 10/395

•┈┈┈┈•✿❁✿•┈┈┈┈•

13- A lejohet i vetëm agjërimi i ditës së Shtunë nëse qëllon Ditën e Arafatit?

Komisioni i Përhershëm për Fetva:

Lejohet i vetëm agjërimi i Ditës së Arafatit, qoftë ai edhe ditën e Shtunë apo çdo dite tjetër të javës, sepse nuk ka ndryshim midis tyre. Agjërimi i Ditës së Arafatit është sunnet më vete, ndërsa hadithi që ndalon nga agjërimi i ditës së Shtunë është i dobët, për shkak të përzierjes që ka dhe kundërshtimit që u bën haditheve të sakta.

📚”Feteual Lexhnetid Daimeh” 10/396

•┈┈┈┈•✿❁✿•┈┈┈┈•

14- Çfarë gjykimi merr ai që agjëron Ditën e Arafatit me qëllim agjërimi jo të detyrueshëm, ndërkohë që ka për të agjëruar ditë të lëna gjatë Ramadanit?

Komisioni i Përhershëm për Fetva:

Kush agjëron Ditën e Arafatit me qëllimin e agjërimit jo të detyrueshëm dhe ka për të bërë ditët e lëna nga Ramadani, agjërimi i tij është i saktë; dhe ajo që duhet të bëjë është që të mos e vonojë agjërimin e ditëve të lëna nga Ramadani.

📚 “Feteual Lexhnetid Daimeh” (10/399)

•┈┈┈┈•✿❁✿•┈┈┈┈•

15- A ka shpërblim agjërimi i Ditës së Arafatit dhe i gjashtë ditëve të Sheuualit, si shlyerje e gjynahut për thyerjen e betimit?

Komisioni i Përhershëm për Fetva:

Agjërimi i ditës së dhjetë të Muharremit, ditës së Arafatit dhe i gjashtë ditëve nuk ka shpërblim për shlyerjen e gjynahut. Ato do vlenin për shlyerjen nëse do e bëje nijetin për agjërim me qëllim shlyerjen e gjynahut dhe jo për agjërim vullnetar (sh.p.: pra, mos ta bësh nijetin për agjërim të ditës së Arafatit dhe gjashtë ditëve të Sheuualit. Ndërsa shlyerja e gjynahut për thyerjen e betimit është detyrë).

📚 “Feteual Lexhnetid Daimeh” (23/38)

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: