Pyetje drejtuar shejkh Ibnu Bãz-it rahimehullah:
Nëse më bëhet e qartë gjatë namazit se kam papastërti në rrobe, a duhet ta vazhdoj namazin apo ta ndërpres? Gjithashtu, a janë të papastër gjaku i njeriut dhe i kafshës?
Al-lameh Ibn Bãz:
Rasti kur gjatë namazit kupton se ke papastërti në rroben tënde ka shtjellim: nëse është e mundur heqja e rrobës në të cilën gjendet papastërtia, siç është rasti i çallmës, shamisë (së meshkujve) ose rasti kur ke veshur dy rroba dhe papastërtia gjendet në pjesën e sipërme të rrobes, e heq atë (dhe vazhdon namazin) dhe nuk ka problem në këtë rast. Edhe kur papastërtia gjendet në “bisht”, e heq rrobën. Ama nëse nuk mundet ta bësh këtë gjë, si p.sh. kur papastërtia është në pjesën e poshtme të rrobes ose në benevrekë dhe nuk është e mundur heqja e tyre, atëherë e ndërpret namazin, e lan papastërtinë ose e ndërron me një rrobë të pastër, dhe e përsërit namazin.
Por nëse është e mundur heqja e rrobes në të cilën gjendet papastërtia, kjo nuk përbën problem, sepse një ditë, teksa i Dërguari i Allahut sal’Allahu alejhi ue sel’lem ishte duke u falur me sandale veshur, Xhibrili alejhis selam e njoftoi se në to gjendej papastërti, ndaj Profeti alejhis salatu ues selam i hoqi dhe vazhdoi namazin, pra, i hoqi, vazhdoi namazin dhe nuk e përsëriti fillimin e tij. Kjo tregon se nëse personi ka mundësi që ta heqë rrobën, siç është shamia, bishti apo pjesa e epërme e dy rrobeve, dhe nëse rroba që është poshtë e mbulon auretin, atëherë i mjafton kjo e para dhe e heq tjetrën; dhe nëse jo, e ndërpret namazin, e ndërron rrobën me një të pastër ose lan papastërtinë.
Sa i përket gjakut, ai i gjithi është i papastër, si gjaku i kafshëve, ashtu dhe ai bijve të Ademit: i gjithi është i papastër nëse derdhet nga prerja.
Nëse është diçka e vogël, njolla të vogla që i bien njeriut nga kafshët e therura apo nga vetë (plaga p.sh.) e njeriut, atëherë ai është i justifikuar, sipas mendimit më të saktë të njerëzve të dijes; gjithashtu, kur nuk është gjak i derdhur, por është nga ai që mbetet brenda në mish, si në rastin kur e merr mishin e i bie prej tij diçka nga gjurmët e gjakut që ka mbetur në të, prapë kjo gjë nuk prish punë: gjykohet se është i pastër; flas për gjakun e mbetur në mish dhe jo për atë që derdhet nga fyti i kafshës së therur.
Ajo që dua të them është se nëse gjaku i mbetur në mishra bie në rrobe, është i justifikuar; e njëjta vlen edhe për njollat e vogla të gjakut që del nga plagët e njeriut apo kafshëve.
http://www.binbaz.org.sa/noor/5717
Përktheu: Abdur-Rahman Mema
Shënim i përkthyesit.
Bishti është një pëlhurë e hollë në formën e palltos, të cilën e veshin arabët sipër xhelabijes.