Loading

Pyetje: Unë jam një grua që mbeta shtatzënë dhe në muajin e tretë plus një javë fetusi ra. Nuk e di se ç’lloj fetusi ishte. Disa njerëz më thanë: duhet t’i vësh emrin këtij fetusi dhe të therësh kurban (akikah) për shkak të tij. Unë nuk dija se çfarë gjykimi kishte ky fetus në atë kohë dhe nuk bëra asgjë. Çfarë më këshilloni? Në bazë të asaj që përmenda, a duhet t’i vë emër dhe të ther kurban?

Muftiu: Al-lameh AbdulAziz ibnu Baz rahimehullah

Përgjigje: Nëse fetusi ka rënë para muajit të katërt, nuk i vihet emër dhe nuk ka nevojë për akikah. Akikah dhe emri është për atë që bie në muajin e pestë apo më pas, pra, për atë fetus të cilit i fryhet shpirti, sepse konsiderohet njeri dhe merr gjykimin sheriatik të fëmijëve që vdesin të vegjël. Bëhet akikah, i vihet emri, lahet dhe i falet xhenazja; e gjithë kjo nëse bie në muajin e pestë e më pas, pra, pas fryrjes së shpirtit. Sa për atë që bie në muajin e katërt apo të tretin, nuk merr gjykimin e fëmijëve që vdesin të vegjël, por nëse struktura e trupit duket qartë, domethënë duken qartë tiparet njerëzore, siç janë koka, dora, këmba etj., ai merr gjykimin e të porsalindurit, ndërsa nëna gjykimin e lehonës: nuk falet dhe nuk agjëron. Ndërsa ai nuk merr gjykimin e të vdekurit dhe as gjykimin e fetuseve, por varroset në një vend çfarëdo dhe kjo mjafton: as nuk lahet, as nuk i falet xhenazja, sepse nuk është njeri dhe nuk merr gjykimin sheriatik të të vdekurve. Përveç nëse i është fryrë shpirti; dhe kjo ndodh në muajin e pestë e më tej. Nëse ai bie në muajin e katërt apo të tretë, është thjesht një copë mishi me një shfaqje të trajtave njerëzore, si koka, këmba etj.. Për këtë, ajo nuk duhet të falet dhe të agjërojë gjatë periudhës së lehonisë, 40 ditë apo më pak. Kur të pastrohet, falet dhe agjëron. Plotëson dyzet ditët, lahet dhe falet edhe nëse ka ende gjakderdhje, sepse ky gjak është jashtë kohës së tij, kështu që ajo falet, agjëron dhe merr abdes për çdo namaz, tamam siç vepron femra që ka gjakderdhje jashtë kohës së menstruacioneve. Dhe nëse pastrohet, i lejohet bashkëshortit të kryejë marrëdhënie me të. Nëse është gjak që nuk dallohet se çfarë është, domethënë copë mishi apo gjak që nuk dallohet, kemi të bëjmë me një lloj gjaku jashtë kohës së vet, dhe si pasojë, nuk i lë namazet, agjërimin dhe marrëdhëniet me bashkëshortin. Nëse ajo copë mishi që ka rënë nuk ka formën e njeriut, pra, s’dallohet as kokë, as këmbë, as dorë, atëherë, përderisa nuk dallohet dhe nuk bëhet e qartë se çfarë është, gjaku nuk konsiderohet gjak lehonie, rrjedhimisht ajo duhet të falet, të agjërojë; gjithashtu; është e lejuar për bashkëshortin. Nëse ka gjakderdhje, merr abdes për çdo namaz, ashtu siç bën pjesa tjetër e atyre që kanë rrjedhje gjaku jashtë kohës, siç është mustehaadah (femra që ka gjakderdhje jashtë kohës së menstruacioneve).

Burimi: http://www.binbaz.org.sa/node/17527

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: