Loading

Ka thënë nxënësi i tij, hafizi Ibnu AbdulHadī rahimehullah:

Një prej dijetarëve të Halebit erdhi në Damask dhe tha (duke iu drejtuar një rrobaqepësi): kam dëgjuar për një fëmijë i cili është shumë i shpejtë në memorizim. Ahmed ibnu Tejmijjeh quhet. Erdha se mos ndoshta e takoj. Rrobaqepësi i tha: ja, kjo është rruga e shkollës së tij. Nuk ka kaluar ende, por ti qëndro te neve nja një orë, sepse kur shkon në shkollë, ai para nesh kalon. Kësisoj, shejkhu nga Halebi u ul të priste pak. Dhe ja ku ia beh fëmija…!

Rrobaqepësi tha: ai fëmija me tabelë të madhe në dorë është Ahmed ibnu Tejmijeh.

Shejkhu e thirri dhe iu afrua. Ia mori tabelën, e pa dhe pastaj tha: o biri im, fshije këtë, që të të diktoj diçka për ta shkruar. I diktoi tekste të ndryshme hadithesh, 11 apo 13 të tilla, dhe i tha: lexoji. Shejkhul Islamit i mjaftoi vetëm një herë t’i shihte të shkruara dhe pastaj ia dha tabelën.

Shejkhu i tha: m’i thuaj. Po të dëgjoj.

Ia tha përmendsh.

I tha: o biri im, fshiji këto. Pasi i fshiu, i diktoi disa zinxhirë transmetimi të cilat i kishte përzgjedhur. I tha: lexo këtu. Shejkhul Islami e pa tabelën dhe veproi tamam si herën e parë.

U ngrit shejkhu duke thënë: nëse jeton, ky fëmijë ka për t’u bërë shumë i famshëm! Nuk është parë një si ky!

📚 العقود الدرية” لابن عبد الهادي (ص ٢٠)”

Përkthyes: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: