Pyetje drejtuar esh-shejkh ibën Bãz-it -rahimehullah
Pyetje:
Kam pasur një vëlla që i erdhi exheli, i cili ishte korrekt në sjellje, dmth nuk i bënte keq askujt. Nuk gënjente dhe nuk bënte gjëra të ndaluar. Të gjithë njerëzit e lavdëronin për etikën dhe sjelljen e tij, të gjithë e donin, porse nuk falej dhe as nuk agjeronte. Ju bëjmë me dije se ai ishte këngëtar, dmth këndonte dhe ka këngë. Pyetësi vijon me një përshkrimin të tillë dhe në fund të pyetjes thotë: se ai i lexon vëllait suren Jasin duke vepruar sipas fjalës së Pejgamberit ﷺ: “Jasini është zemra e Kur’anit, nuk e lexon një njeri që e do Allahun dhe Botën tjetër vetëm se i fshihen atij gjynahet, pra lexojuani atë të vdekurve tuaj”, ndërkohë dëgjova nga programi juaj i bukur se të vdekurit nuk i arrin sevabi i leximit të Kur’anit, kërkoj nga ju një sqarim, Allahu ua shpërbleftë me të mira.
Përgjigje: Gjendja e atij që nuk falet është shumë e keqe, dijetarët kanë mospajtim rreth kufrit të tij:
Mendimi i parë: Nëse ai e pohon se namazi është detyrim dhe e di që është detyrim dhe farz, porse e neglizhon dhe nuk falet, një grup prej njerëzve të dijes kanë mendimin se ai është gjynahqar dhe se gjynahu i tij është i madh, më i madh se zinaja dhe më i madh sesa vjedhja, porse nuk është kafir, i cili është në Dëshirën e Allahut, nëse do e fal, dhe nëse do e dënon, nëse është musliman që e veçon Allahun me adhurim dhe e di se namazi është detyrim, porse e neglizhon.
Mendimi i dytë: se bën kufër të madh (që të nxjerr prej Islamit), edhe nëse e pohon që ai është detyrim, për shkak të fjalës së Pejgamberit ﷺ në hadithin e saktë: “Marrëveshja në mes nesh dhe atyre është namazi, ai cili e braktis atë ka bërë kufër” [Transmetoi Imam Ahmedi në musnedin e tij me zinxhir të saktë] dhe për shkak të fjalës së tij ﷺ në një hadith tjetër: “Midis njeriut kufrit dhe shirkut është lënia e namazit” [Transmetoi Muslimi në Sahihun e tij prej Xhabiru bnu Abdullah -radij’Allahu te’ala anhuma- dhe për shkak të haditheve të tjera që kanë ardhur në lidhje me këtë temë.
Ka thënë Abdullah bnu Shakik el-‘Ukejlij Tabi’ini i nderuar -rahimehullah-: “Sahabët e Pejgamberit ﷺ nuk e konsideronin lënien e diçkaje si kufër, përveç namazit” që do të thotë, se Sahabët e Pejgamberit ﷺ e konsideronin namazin prej atyre veprave për të cilat lënësi i tyre bëhet kafir, edhe nëse nuk e kundërshton se ai është detyrim.
Ky mendim është më i saktë dhe më i qartë nga ana e argumentimit.
Ne të këshillojmë o pyetës që të mos bësh dua për vëllanë tënd, as mos jep sadaka për të, sepse sipas asaj që duket nga gjendja e tij se ai nuk është musliman dhe as mos u lut kundër tij gjithashtu dhe as mos e shaj, çështja e tij është tek Allahu.
Sa për leximin e Kur’anit, nëse bën t’i lexohet të vdekurit dhe t’i bëj dobi, edhe për këtë çështje ka mospajtim në mesin e njerëzve të dijes.
Mendimi i parë: ka prej atyre që kanë thënë: se leximi i Kur’anit i bën dobi të vdekurit, nëse i lexohet dmth nëse lexon për të, merr shpërblim, lexon disa pjesë nga Kur’ani dhe shpërblimin e leximit e bën nijet për t’ia dhënë të vdekurit.
Mendimi i dytë: ka thënë të tjerë prej njerëzve të dijes: kjo nuk ka argument dhe nuk i lexohet Kur’an; sepse afrimi me vepra të mira tek Allahu dhe adhurimet janë “teukifijeh”, nuk vepron asgjë prej tyre pa pasur argument, dhe nuk ka ardhur asgjë nga Pejgamberi ﷺ dhe as nga sahabët që të tregojë leximin e Kur’anit për të vdekurit, ndërsa hadithi i Me’kil bnu Jasar për suren Jasin është i dobët, edhe nëse do të ishte i saktë, ajo që është për qëllim me të, është leximi i saj për atë që është në agoninë e vdekjes: “Lexojuani të vdekurve tuaj Jasinin” që do të thotë: ai që është në agoni, atij që i është afruar exheli, me qëllim që të përfitojë dhe të përkujtojë, që Allahu t’i mundësojë një përfundim të mirë, pra kuptimi është: Lexojani suren Jasin atij që është në agoni, atij që i është afruar exheli dhe vdekja, porse hadithi është i dobët, e tillë është edhe fjala e tij ﷺ: “Diktojuani të vdekurve tuaj: “La Ilahe il-lAllah” [Transmetoi Muslimi në Sahihun e tij], kuptimi i tij është: Diktojuani në çastin e vdekjes, me qëllim që përfundojë me të, me qëllim që ajo të jetë fjala e tij e fundit dhe ajo është: “La Ilahe il-lAllah”, për shkak të fjalës së Pejgamberit ﷺ: “Ai që e ka fjalën e tij të fundit: ‘La Ilahe il-lAllah’ hyn në Xhennet” dhe kjo tregon se kuptimi me fjalën të vdekurve është për ata që janë në agoninë e vdekjes, diktojuani të vdekurve tuaj, që do të thotë: atyre që janë në agoninë e vdekjes, dhe me këtë kuptojmë se leximi i Kur’anit për të vdekurit nuk ka argument, dhe më e sakta është se atyre nuk u shkon shpërblimi, megjithatë atyre u bën dobi dhënia sadaka për ta, lutja, Haxhi, Umra, me shlyerjen e borxhit që ata kanë pasur, nga të gjitha këto përfitojnë me konsensus të muslimanëve, sa për namazin për ta, leximin e Kur’anit, atëherë kjo gjë nuk u arrin atyre sipas mendimit më të saktë, nëse janë muslimanë (përveç asaj që përmendëm) u bëjnë dobi ato vepra, ndërsa ai që nuk është musliman nuk i bëjnë dobi ato vepra, dhe ai që e le namazin gjykimi i tij është si ai i kafirit, sipas mendimit më të saktë.
📚 Burimi: “Feteua Nuri aled derb” (14/258-261)
Përktheu: Abdur-Rahman Mema