Loading

Ka thënë vigani Muhamed ibnu Salih el-Uthejmin -Allahu e mëshiroftë-:

Vërtet është për të ardhur keq -në kohën tonë- se disa të rinj i kanë marrë disa dijetarë si simbole për t’u pasuar, e miqësojnë atë që ata e miqësojnë dhe e armiqësojnë atë që ata e armiqësojnë edhe nëse ai që e kanë armiqësuar është në hak e ai që e kanë miqësuar nuk është në hak!!!

Dhe kanë filluar që të zihen në mes tyre: çfarë mendimi ke për filanin? Çfarë mendimi ke për fistekun?

Përse?

Them: ky filani gabon dhe ja qëllon, nëse gabon dhe ai është muxhtehid, atij i falet gabimi, e nëse ja qëllon, ai merr dy shpërblime, ama që unë të miqësojë atë që ai e miqëson dhe ta armiqësojë atë që ai e armiqëson, sido që të jetë puna, kjo nuk lejohet.

Për këtë arsye, u bëj thirrje bijve të mi të rinj, që të mos e bëjnë këtë qëllimin e tyre kryesor, e të mos ngrenë me të kokën, por të jetë qëllimi i tyre e vërteta nga çdo drejtim që vjen.

Dëgjoje Fjalën e Allahut -azze ue xhel-le-:

{وَإِذَا فَعَلُوا۟ فَـٰحِشَةࣰ قَالُوا۟ وَجَدۡنَا عَلَیۡهَاۤ ءَابَاۤءَنَا وَٱللَّهُ أَمَرَنَا بِهَاۗ قُلۡ إِنَّ ٱللَّهَ لَا یَأۡمُرُ بِٱلۡفَحۡشَاۤءِۖ }

{Dhe kur i bënë punët e pahijshme ata thanë: kemi gjetur prindërit tanë duke vepruar kështu dhe Allahu na ka urdhëruar me të, thuaj: me të vërtetë, Allahu nuk urdhëron për punë të pahijshme}

U argumentuan me dy argumente:

I pari: {Kemi gjetur prindërit tanë duke e vepruar kështu}

Dhe i dyti: {Allahu na ka urdhëruar me të}

Allahu -azze ue xhel-le- tha:

{Thuaj: me të vërtetë, Allahu nuk urdhëron për punë të pahijshme}

Dhe tek argumenti i parë (i tyre) heshti, përse? Sepse argumenti i dytë është i kotë dhe Allahu e bëri të kotë, ndërsa argumenti i parë ishte i saktë ndaj Allahu heshti ndaj tij dhe e aprovoi, pavarësisht se erdhi nga kush? Nga kush o njerëz? Nga idhujtarët.

Dëgjo gjithashtu atë që është vërtetuar nga Pejgamberi -sal-l’Allahu alejhi ue ala elihi ue sel-lem- se erdhi tek ai një rabin prej rabinëve të jehudëve dhe i tha:

O Muhamed, me të vërtetë ne gjejmë (në librat tanë) se Allahu e vendos qiellin një Gisht dhe tokën një Gisht dhe përmendi pjesën e mbetur të hadithit. Qeshi Pejgamberi -sal-l’Allahu alejhi ue ala elihi ue sel-lem- derisa ju dukën dhëmballët apo dhëmbi pas atij të qenit si aprovim i fjalës së rabinit, më pas lexoi:

{Dhe ata nuk e vlerësuan Allahun ashtu siç i takon Atij, Ditën e Kiametit e tërë toka do të jetë në Grushtin e Tij, ndërsa qiejt do të jenë mbështjellë në Dorën e Djathtë të Tij, qoftë i Lavdëruar dhe i Lartësuar Ai mbi gjithçka që ata i shoqërojnë në adhurim}

A e mohoi të vërtetën këtu Pejgamberi -sal-l’Allahu alejhi ue ala elihi ue sel-lem- sepse thënësi i saj nuk ishte i drejtë?

Jo, madje e aprovoi atë, edhe pse ai ishte jehudij.

Më e qartë se kjo: Pejgamberi -sal-l’Allahu alejhi ue ala elihi ue sel-lem- e caktoi Ebu Hurejren -radij Allahu anhu- për të ruajtur sadakan e fitrit, dmth i tha: ruaje atë. Një natë prej netësh erdhi një person në pamjen e njeriut dhe mori prej ushqimit, Ebu Hurejreh e kapi atë dhe i tha: unë do të të çoj tek i Dërguari i Allahut -sal-l’Allahu alejhi ue ala elihi ue sel-lem- .

Ai pretendoi se ishte i varfër dhe kishte fëmijë, kështu Ebu Hurejreh e lëshoi dhe e la të shkonte, më pas shkoi tek Pejgamberi -sal-l’Allahu alejhi ue ala elihi ue sel-lem- dhe ai i tha atij:

“Çfarë bëri mbrëmë ai që zure rob?”

Tha: o i Dërguari i Allahut, ai pretendoi se ishte i varfër dhe kishte fëmijë, ndaj e lirova.

I tha: “Ai të ka gënjyer dhe do të kthehet”

“Të ka gënjyer” dmth: ajo që të tregoi është gënjeshtër.

Tha (Ebu Hurejreh): e dija që do të kthehej për shkak të fjalës së Pejgamberit: “dhe do të kthehet”

Erdhi përsëri natën e dytë dhe mori prej ushqimit, pretendoi se kishte fëmijë dhe ishte i varfër, kështu që e liroi sepse Pejgamberi -sal-l’Allahu alejhi ue ala elihi ue sel-lem- kur tha: “do të kthehet”, nuk tha: burgose ose mbaje.

Pas kësaj shkoi Ebu Hurejreh tek Pejgamberi -sal-l’Allahu alejhi ue sel-lem- dhe i tregoi për atë që ndodhi.

I tha: “të ka gënjyer dhe do të kthehet.”

U kthye natën e tretë, e kapi Ebu Hurejreh dhe i tha: duhet patjetër të të çoj tek i Dërguari i Allahut -sal-l’Allahu alejhi ue ala elihi ue sel-lem- ky personi i tha atij: a nuk do që të tregojë për një ajet prej Librit të Allahut, nëse e lexon atë, nuk do të rreshtësh duke qenë nën Mbrojtjen e Allahut dhe as nuk do të afrohet shejtani deri në agim? Ndaj e lirova.

Shkoi tek Pejgamberi -sal-l’Allahu alejhi ue ala elihi ue sel-lem- dhe e njoftoi.

I tha: “Të ka thënë të vërtetën edhe pse është gënjeshtar”.

Çfarë kuptimi ka “të ka thënë të vërtetën”? Dmth: të ka treguar të vërtetën, dmth nëse lexon ajetin Kursij nuk do të rreshtësh duke qenë nën Mbrojtjen e Allahut dhe as nuk do të afrohet shejtani deri në agim.

Më pas i tha: “a e di se me kë po bisedoje gjatë këtyre tri netëve?”

I tha: nuk e di o Dërguari i Allahut.

Tha: “ai ishte shejtani”

Shiko sesi e pranoi Pejgamberi -sal-l’Allahu alejhi ue ala elihi ue sel-lem- të vërtetën nga shejtani.

Qëllimi është e vërteta, dhe burrat njihen me të vërtetën dhe jo e vërteta njihet me burrat.

Atëherë, si përçahemi dhe coptohen zemrat për shkak të armiqësisë në lidhje me një person prej ulemave?!

Njëri thotë se: ai ka të drejtë dhe ia ka qëlluar ndërsa tjetri thotë të kundërtën!!!

Kjo është gabim, nuk është prej udhëzimit të Katër Khalifëve të Drejtë dhe as të sahabëve gjithashtu.

Detyrë është pranimi i të vërtetës prej çdokujt që e thotë atë dhe refuzimi i të kotës prej çdokujt që e thotë atë.

Pastaj nuk lejohet fare që të kemi miqësim dhe armiqësim të kufizuar për hir të personave, sepse ata nuk janë të pagabueshëm, ata gabojnë dhe ja qëllojnë, duhet të biem dakord dhe t’i lëmë ata persona, dhe të lusim Allahun që t’i udhëzojë nëse janë gjallë dhe t’i falë nëse kanë vdekur, nëse ata kanë bërë “ixhtihad” dhe kanë kundërshtuar të vërtetën dhe çështja e tyre është tek Allahu -azze ue xhel-le-, ama që të përçajmë xhematin dhe të prishim unitetin tonë dhe të hedhim armiqësi në mes nesh, për shkak përkrahjes së këtij personi apo të atij personi, ky është gabim i qartë dhe dëm i madh.

Për këtë arsye u bëj thirrje vëllezërve të mi muslimanë kudo që janë që të pajtohen dhe të mos kundërshtohen, e të mos nxjerrin prej personave simbole dhe të miqësojnë për shkak të tyre dhe të armiqësojnë për shkak të tyre, kjo me të vërtetë është gabim dhe nuk i ka dëmtuar muslimanët e mëhershmën dhe ata të sotshëm vetëm se kjo: fanatizmi pas personave.

http://ar.alnahj.net/audio/2673

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: