Ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ:
«Do të vdesin njerëzit e devotshëm një e nga një dhe do të mbeten njerëzit e pavlerë si mbetjet e elbit apo të hurmës dhe Allahu nuk do të kujdeset për ta».
📚 رواه البخاري (٦٤٣٤)
Shpjegimi:
Ka thënë el-al’lameh Muhamed ibnu Sãlih el-Uthejmin -rahimehullah- në shpjegimin e librit “Rijadus Salihin”:
I Dërguari i Allahut ﷺ na tregoi se do të vdesin njerëzit e devotshëm njëri pas tjetrit, pastaj do të mbeten njerëzit e pavlerë si mbetjet e elbit apo të hurmës. Allahu nuk do të kujdeset për ta, dmth nuk do t’i mëshirojë dhe as do të zbresë mbi ta mëshirë.
Njerëzit e devotshëm do të vdesin të parët dhe ky hadith i ngjan hadithit të Enes bnu Malik -radij’Allahu anhu- kur njerëzit erdhën tek ai për t’u ankuar për padrejtësitë që ua kishte bërë el-Haxhaxh bnu Jusuf eth-Thekafij dhe ai (Enesi) u tregoi se Profeti ﷺ ka thënë:
«Çdo kohë që do të vijë, do të jetë më keqe sesa ajo që ka kaluar, derisa të takoni Zotin tuaj»
Për këtë arsye gjen njerëz që ndryshojnë nga njëri vit në vitin që ishte përpara tij; dhe njerëzit e devotshëm vdesin njëri pas tjetrit. Në kohën që ka kaluar i gjeje njerëzit të faleshin natën, të agjeronin gjatë ditës, të jepnin lëmoshë nga pasuria e tyre dhe të mendonin për të tjerët më shumë sesa për vetet e tyre.
Ama sot i gjen njerëzit se kanë ndryshuar nga njeri vit në tjetrin duke u bërë më keq sesa më parë, duke ndenjur zgjuar natën në mosbindje ndaj Allahut dhe duke fjetur ditën, apo duke u dëfryer apo duke blerë dhe shitur me hile, gënjeshtra dhe tradhëti, Allahu na ruajttë!
Njerëzit janë duke u bërë më keq, pavarësisht kësaj, ka njerëz të mirë, elhamdulil-lah që janë të palëkundur në fenë e Allahut nga ajo që duket, porse ajo që merret në konsideratë është shumica.
Për këtë arsye Profeti ﷺ na ka treguar ashtu siç gjendet në hadithin e tretë, të cilin e transmeton el-Bukharij se kur bie dënimi mbi ta i përfshin të gjithë, ashtu siç ka thënë Allahu i Lartësuar:
وَٱتَّقُوا۟ فِتۡنَةࣰ لَّا تُصِیبَنَّ ٱلَّذِینَ ظَلَمُوا۟ مِنكُمۡ خَاۤصَّةࣰۖ وَٱعۡلَمُوۤا۟ أَنَّ ٱللَّهَ شَدِیدُ ٱلۡعِقَابِ
{Ruajuni fitnes, që nuk i godet vetëm ata që kanë bërë padrejtësi, dhe dijeni se Allahu dënon ashpër} [el-Enfal: 25]
Porse ata Ditën e Kiametit do të ringjallen sipas nijeteve të tyre, çdo njeri sipas asaj që ka bërë, për këtë arsye duhet që njeriu të bëj kujdes që të mos jetë si mbetjet e elbit apo hurmës dhe t’i kushtojë rëndësi qënies i palëkundur ndaj urdhrave të Allahut edhe nëse njerëzit janë shkatërruar, ata u goditën nga dënimi i përgjithshëm, porse çdo njeri do të ringjallet sipas nijetit të tij Ditën e Kijametit.
📚 شرح رياض الصالحين” (٦٣٤/٦-٦٣٥)”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema