Loading

Nga el-al’lameh ibnu Baz -Allahu e mëshiroftë-

Thotë pyetësi: Nëse një njeri zemërohet dhe i shtohet zemërimi dhe ndodh prej tij sharja e fesë, çfarë gjykimi ka ai? Dhe nëse ai është i martuar çfarë gjykimi ka bashkëshortja e tij ndaj tij nëse me këtë gjë del prej Islamit?

Përgjigje: kjo është një mesele e madhe dhe ka pasoja të rrezikshme, sharja e fesë është prej gjynaheve më të mëdha dhe prej anuluesve të Islamit, me të vërtetë sharja e fesë është felëshim te të gjithë njerëzit e dijes dhe ajo është më e keqe se sa tallja me fenë, ka thënë Allahu i Lartësuar:

قُلۡ أَبِٱللَّهِ وَءَایَـٰتِهِۦ وَرَسُولِهِۦ كُنتُمۡ تَسۡتَهۡزِءُونَ ۝ لَا تَعۡتَذِرُوا۟ قَدۡ كَفَرۡتُم بَعۡدَ إِیمَـٰنِكُم

{Thuaj: “A mos vallë me Allahun, Ajetet dhe të Dërguarin e Tij po talleni. Mos u shfaqësoni! Keni mohuar pas besimit tuaj} [et-Teubeh: 65-66]

Ka qenë një skllave në kohën e Profetit ﷺ që e shante Profetin ﷺ dhe pronari i saj e vrau atë, kur ajo nuk u pendua. Profeti ﷺ tha:

«A nuk do të dëshmoni që për gjakun e saj nuk ka dijeh»

Kështu që, sharja e fesë obligon daljen nga Islami, po ashtu sharja e Profetit ﷺ obligon daljen nga Islami dhe për personin në fjalë nuk ka “dijeh” (shpagimi i gjakut) dhe pasuria e tij i shkon shtëpisë së thesarit, për shkak se ai është renegat i cili ka ardhur me një anulues prej anuluesve të Islamit, mirëpo nëse kjo ndodh për shkak të zemërimit të madh dhe mosfunksionimit të logjikës, atëherë ky ka gjykim tjetër.

Zemërimi te njerëzit e dijes ndahet në tre shkallë:

Shkalla e parë: Kur zemërimi arrin deri aty sa të humbasë logjikën, as sa nuk i dallon gjërat prej zemërimit të madh.

Ky merr gjykimin e njerëzve të çmendur dhe atyre me të meta mendore, nuk ngrihet gjykim ndaj fjalës së tij, as nuk merret parasysh divorci dhe as sharja e tij e të tjera si këto, ai është si i çmenduri që nuk ngrihet gjykim ndaj tij.

Shkalla e dytë: nuk është si e para, i shtohet atij zemrërimi dhe e domonion shumë atë, derisa i ndërron mendimin dhe nuk e kontrollon dot veten dhe e dominon atë me një dominim të plotë, derisa të bëhet si ai që është i detyruar apo i shtyrë për të bërë diçka, i cili nuk mundet që ta shmang gjendjen në të cilën ndodhet, mirëpo ai nuk është si i pari, atij nuk i ka ikur vetëdija plotësisht dhe as nuk e ka humbur llogjikën plotësisht, mirëpo është shumë i zemëruar për shkak të sharjes, armiqësisë dhe konfliktit në mes tij dhe disa njerëzve, siç janë familja, gruaja, i biri apo emiri i tij, e të tjerë.

Për këtë dijetarët kanë pasur mospajtime, disa kanë thënë: gjykimi i tij është si i atij që është i kthjellët dhe i logjikshëm dhe zbatohen mbi të dispozitat sheriatike, ndodh divorci, del nga feja me sharjen e saj, gjykohet ndaj tij me dënim me vrasje dhe dalje nga feja dhe bëhet ndarja në mes tij dhe gruas së tij.

Disa kanë thënë: Ky i bashkangjitet të parit, i cili ka humbur logjikën, pasi është më afër tij, sepse një si puna e tij është i shtyrë dhe i detyruar për të folur, nuk mundet që ta shmang atë për shkak të zemërimit të madh.

Ky është mendimi më i saktë dhe më afër së vërtetës, se gjykimi i tij është si gjykimi i atij që humbet logjikën në këtë kuptim, dmth: nuk ndodh divorci dhe nuk del prej fesë, sepse ai i ngjan atij që ka humbur vetëdijen për shkak zemërimit të madh dhe dominimit të zemërimit mbi të, aq sa nuk mund ta shmangë atë.

Dhe janë argumentuar për këtë me historinë e Musës -alejhis salātu ues selām- kur ai e gjeti popullin e tij duke adhuruar viçin, ai u zemërua shumë me ta, erdhi dhe i hodhi pllakat duke e kapur vëllanë për koke, e tërhoqi drejt vetes prej zemërimit të madh, Allahu nuk e mori në llogari atë për hedhjen e pllakave dhe as për tërheqjen e vëllait të tij Harunit drejt vetes dhe ai ishte profet si ai, nëse do t’i hidhte ato duke qenë neglizhent dhe me logjikë kjo do të ishte një gjë e madhe dhe nëse një njeri do ta tërhiqte një profet prej mjekrës apo prej kokës dhe do ta lëndonte, atëherë njëri i tillë do bëhej qafir.

Mirëpo, kur Musa ishte shumë i zemëruar për hir të Allahut -azze ue xhel’le- lidhur me atë që ndodhi prej popullit të tij, Allahu e fali atë dhe nuk e mori në llogari për hedhjen e pllakave dhe as për tërheqjen e vëllait të tij.

Ky është prej argumenteve të atyre që thanë: divorci i atij që zemërohet shumë nuk ndodh, po ashtu ai që shan fenë nuk del prej saj dhe ky është një mendim i fortë dhe i qartë dhe ky mendim ka argumente të shumta, të cilat i ka parashtruar shejkhu i Islamit ibnu Tejmijeh dhe el-al’lameh ibnul Kajjim -Allahu i mëshiroftë- dhe e zgjodhën këtë mendim.

Ky mendim është më i sakti te unë dhe ky është mendimi me të cilin jap fetva, sepse atij që i shtohet zemërimi i mbyllet qëllimi dhe i ngjan të çmendurit me sjelljet e tij dhe me fjalën e tij të shëmtuar, ai është më afër të çmendurit dhe të lajthiturit, ky mendim është më i saktë dhe më i fortë.

Mirëpo, nuk ka gjë nëse ky edukohet, nëse bën diçka prej shkaqeve të felëshimit ose prej formave të felëshimit dhe kjo është prej llojit të treguarit kujdes dhe paralajmërimit nga lehtësimi në këtë çështje apo që të mos ndodhë përsëri, nëse e edukon atë me rrahje apo me burgosje e të tjera si këto, e në këtë mund të ketë dobi të madhe, mirëpo nuk gjykon ndaj tij me gjykimin renegatëve për shkak të zemërimit të madh i cili i përngjan gjëndjes së të çmendurit dhe Allahu është Ndihmësi më i Mirë!

Shkalla e tretë: dhe ai është zemërimi normal, me të cilin nuk e humbet logjikën dhe nuk është i detyruar me forcë që t’a humbasë kontrollin, por është më pak se ai, është zemërim normal, shqetësohet dhe zemërohet, mirëpo është me logjikë dhe sjellje të shëndoshë.

Te njerëzit e dijes selljet e tij merren parasysh, shitja, blerja dhe divorci dhe jo vetëm; sepse zemërimi i tij është i lehtë nuk i ndryshon atij qëllimin dhe as zemrën e tij dhe Allahu e di më së miri.

https://binbaz.org.sa/fatwas/14129/%D8%AD%D9%83%D9%85-%D9%85%D9%86-%D8%B3%D8%A8-%D8%A7%D9%84%D8%AF%D9%8A%D9%86-%D8%B9%D9%86%D8%AF-%D8%A7%D9%84%D8%BA%D8%B6%D8%A8

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: