Këtu po japim disa fjalë të imamëve të Ummetit, rreth gjykimit të sharjes së Sahabëve radijAllahu anhum.
Ka thënë Pejgamberi ﷺ:
«Mos i shani shokët e mi, sepse pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, sikur dikush nga ju të shpenzonte në Rrugë të Allahut ar aq sa mali i Uhudit, nuk do ta arrinte shpërblimin që merr një sahabij që shpenzon çerek “sa’a”, apo qoftë edhe gjysmën e çerekut, në rrugë të Allahut!»
📚 Transmetoi el-Bukhari (5/8), Muslimi (4/1967)
Imam Malik (v. 179 h), rahimehullah, për ata që shajnë sahabët ka thënë:
“Me të vërtetë, ata njerëz dëshiruan që të shanin Pejgamberin ﷺ! Kur nuk arritën dot ta bënin këtë, filluan t’ia shanin shokët, derisa të thuhej për të: Ai është njeri i lig, se po të kishte qënë njeri i mirë, do ishin të mirë edhe shokët e vet…!”
📚 “Risaletun fi seb’bis sahabeti” (fq. 46)
Imam Ahmed (v. 241 h), rahimehullah, ka thënë:
Nëse sheh dikë që flet keq ndaj ndonjërit prej Sahabëve, akuzoje atë në Islamin e tij!
📚 “El-Bidajetu uen Nihajeh” (8/142)
Imam Ebu Zur’ate er-Razij (v. 264 h), rahimehullah, ka thënë:
Nëse sheh një njeri që përçmon ndonjë prej Sahabëve të Pejgamberit ﷺ, dije se ai është zindik!
📚 “El-Kifajeh fi ‘ilmil Riuajeh” (fq. 97)
Imam Abdullah ibnu Ahmed bnu Hanbel (v. 290 h), rahimehum-Allah, ka thënë:
I thashë tim eti: Kush quhet rafidij?
Tha: Ai që shan dhe ofendon Ebu Bekrin me Umerin.
E pyeta: Ç’mendon për një person që shan një shok prej shokëve të të Dërguarit të Allahut ﷺ?
Më tha: Nuk mendoj se ai është në Islam.
📚 “Manakibul Imami Ahmed” me autor ibnul Xheuzij (fq. 165)
Imam Et-Tahauij (v. 321 h), rahimehullah, ka thënë:
Ne i duam shokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe as nuk e neglizhojmë dashurinë ndaj tyre, as nuk “i lajme duart” me ndonjërin prej tyre! Ne i urrejmë ata që kanë urrejtje ndaj sahabëve dhe i përmendin keq e padrejtësisht. Ne nuk i përmendim sahabët vetëm se me fjalët më të mira. Dashuria ndaj tyre është fe, besim dhe ihsan, ndërsa urrejtja ndaj tyre është kufër, hipokrizi dhe zullum!
📚 “el-Akidetut Tahauijeh” (fq. 467)
Imam Ebu Nu’ajm el-Esbahanij (430 h), rahimehullah, ka thënë:
Askush nuk e zgjat gjuhën ndaj Sahabëve përveç atij që në brendësi të zemrës ka ligësi ndaj Pejgamberit ﷺ, shokëve të tij, Islamit dhe Muslimanëve!
📚 “Tethbitul Imameti ue Tertibul khilafeh” (fq. 376)
Imam es-Sixhzij (v. 444 h), rahimehullah, thotë:
Kush shan qoftë edhe njërin prej Sahabëve të Pejgamberit ﷺ, edhe nëse nuk shan Uthmanin apo Aliun, prapëseprapë është i humbur, në cilindo medh’heb qoftë!
📚 “Risalatus Sixhzij ila Ehli Zubejd” (fq. 336)
Imam Ebu ‘Uthman es-Sabunij (v. 449 h) rahimehullah, ka thënë:
Ithtarët e hadithit mendojnë se duhet kyçur goja ndaj konflikteve që kanë ndodhur midis shokëve të Pejgamberit ﷺ, si dhe duhet pastruar gjuha nga përmendja e gabimeve dhe të metave të tyre!
📚 “Akidetus selef” (fq. 144)
Imam ibnu Kudameh (v. 620 h), rahimehullah, ka thënë:
Është prej sunnetit afeksioni dhe dashuria ndaj Sahabëve të Pejgamberit ﷺ, si dhe përmendja e mirësive të tyre, kërkimi i mëshirës dhe faljes për ta, kyçja e gojës nga përmendja e gabimeve që rrodhën prej tyre, dhe konflikteve që ndodhën në mesin e tyre. Gjithashtu, është prej sunetit besimi në meritat që kanë, si dhe njohja e paraprirjes së tyre në Islam.
📚 “Lum’atul I’tikad” (fq. 32)
Imam en-Neveuī (v. 676 h), rahimehullah, ka thënë:
Dije se sharja e sahabëve, radij’Allahu anhum, është haram prej më të keqit lloj të harameve!
📚 “Sherhu Sahihi Muslim” (16/93)
Hafizi ibnu Haxher (v. 852 h), rahimehullah, ka thënë:
Njerëzit e Islamit mendojnë unanimisht që të gjithë sahabët janë të drejtë! Nuk e ka kundërshtuar këtë gjë vetëm se ata që kanë dalë nga xhemati, pra, bidatxhinjtë!
📚 “El-Isabeh fī temjizis Sahabeh (1/10)
Ka thënë imam Ez-Zuhrī: e pyeta Se’id ibnul Mesejjeb për sahabët e të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe më tha:
Dëgjo o Zuhrī, ai që vdes duke dashur ebu Bekrin, Umerin, Uthmanin dhe Aliun, dëshmon për të dhjetë (dhjetë të përgëzuarit) se janë në Xhennet dhe kërkon mëshirë për Mu’auijen, është detyrë për Allahun që ta fusë në Xhennet pa dhënë llogari.
📚 البداية والنهاية” ط. إحياء التراث، (١٤٨/٨)”
Hafizi Ibnu Kethiri, në librin e tij të njohur “el-Bidajetu uen Nihajeh”, përmend në biografinë e Mihjar ed-Dejlemī ku ndër të tjera thotë:
Poeti Mihjar ibnu Merzeuejh ebul Husejn, shkrimtari pers që njihet me emrin ed-Dejlemī, ishte mexhusi dhe pranoi Islamin. Ama ndoqi rrugën e rafidave: bënte poezi me gjuhën e ashpër të sekteve të tyre, duke sharë sahabët dhe jo vetëm. Arriti deri aty sa Ebul Kāsim ibnu Burhāni i tha:
O Mihjar, u shpërngule nga një cep i Zjarrit, në cepin tjetër të tij: ishe mexhusi, pranove Islamin dhe fillove të shash Sahabët!!!
📚 البداية والنهاية” (١٢ /٥٢)”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema