Loading

Kuptimi i dy dëshmive

La ilahe il-la Allah. Muhamed Resulullah

[S’ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut] [Muhamedi ﷺ është i Dërguari i Allahut]

Ka thënë dijetari i madh Abdul-Aziz ibnu Baz -Allahu e mëshiroftë-:

Këto dy dëshmi janë baza e Islamit dhe janë themeli i fesë. Me këto fjalë jobesimtari, i cili nuk i shqipton ato, hyn në Islam kur i shqipton dhe konsiderohet prej njerëzve të Islamit. Pas kësaj, i kërkohet atij pjesa tjetër e detyrimeve të Islamit.

Sa i takon dëshmisë “la Ilahe il-lAllah”, ajo është baza e fesë dhe themeli i saj te të gjitha fetë e të dërguarve, prej Ademit e deri në ditët tona. Me atë erdhi Ademi alejhis salatu ues selām dhe me të erdhën të dërguarit, si Nuhu, Hudi, Salihu, Ibrahimi, e të tjerë prej të dërguarve. Të gjithë ata i ftuan popujt tek kjo fjalë.

Ka thënë i Lartësuari:

{وَلَقَدۡ بَعَثۡنَا فِی كُلِّ أُمَّةࣲ رَّسُولًا أَنِ ٱعۡبُدُوا۟ ٱللهَ وَٱجۡتَنِبُوا۟ ٱلطَّـٰغُوتَۖ}

{Ne dërguam tek çdo popull një të dërguar (që t’u thotë): adhuroni Allahun dhe qëndroni larg tagutit (atyre që adhurohen në vend të Allahut)!} [en-Nahl: 36]

Dhe ka thënë i Lartësuari:

{وَمَاۤ أَرۡسَلۡنَا مِن قَبۡلِكَ مِن رَّسُولٍ إِلَّا نُوحِیۤ إِلَیۡهِ أَنَّهُۥ لَاۤ إِلَـٰهَ إِلَّاۤ أَنَا۠ فَٱعۡبُدُونِ}

{Nuk dërguam ndonjë të dërguar para teje (o Muhamed ﷺ) pa i shpallur atij se nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Meje, ndaj më adhuroni!} [el-Enbija: 25]

Kur Allahu e dërgoi të Dërguarin tonë Muhamed ﷺ, e filloi me popullin e tij me këtë fjalë dhe u tha: “Thoni: la Ilahe il-lAllah që të shpëtoni!”

Ndërkohë, ata adhuronin idhujt, pemët dhe kishin të adhuruar të shumtë përreth Qabes etj prej vendeve. E refuzuan këtë fjalë dhe thanë (siç ka treguar Allahu në Kur’an):

{أَجَعَلَ ٱلۡـَٔالِهَةَ إِلَـٰهࣰا وَ ٰ⁠حِدًاۖ إِنَّ هَـٰذَا لَشَیۡءٌ عُجَيب}

{A dëshiron (Muhamedi ﷺ) t’i bëjë të adhuruarit Një të Adhuruar të Vetëm?! Vërtet që kjo është diçka e çuditshme!} [Sad: 5]

E refuzuan veçimin e Allahut në adhurim (Teuhidin) dhe besimin, për shkak të injorancës së tyre, mosbesimit, devijimit dhe për shkak se ata ishin mësuar me idhujtarinë, mosbesimin dhe adhurimin e të adhuruarve të shumtë që vepronin etërit e tyre.

Kjo fjalë është dega më e mirë e besimit, ashtu siç gjendet në hadithin e saktë nga Pejgamberi ﷺ se ka thënë:

«Besimi ka 63 deri në 69 degë -ose tha-: 73 deri në 79 degë. Më e mira e tyre është fjala “la Ilahe il-la Allah” dhe më e vogla largimi i diçkaje të dëmshme nga rruga. Edhe turpi është degë prej besimit.»

Ky hadith madhështor na tregon se themeli i fesë dhe baza e saj dhe fjala më e mirë është “la Ilahe il-la Allah” dhe kuptimi i saj është: nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut. Kjo fjalë mohon ilahijen (ndaj krijesës)- dmth adhurimin e të tjerëve në vend të Allahut- dhe e pohon atë për Allahun e Vetëm.

Dhe në “Sahih Muslim” nga ibnu Umeri -radij’Allahu Te’ala anhuma- transmetohet se Pejgamberi ﷺ ka thënë:

«Me të vërtetë Islami është i ngritur mbi pesë (shtylla):

  1. Në veçimin e Allahut me adhurim
  2. Në kryerjen e namazit
  3. Dhënien e Zekatit
  4. Agjërimin e Ramazanit
  5. Dhe kryejen e haxhit në Mekë»

Dhe në një artikulim tjetër:

«Që Allahu të adhurohet i Vetëm dhe të mohohet ajo që adhurohet në vend të Tij.»

E bëri veçimin e Allahut në adhurim, adhurimin e Tij të Vetëm dhe mohimin e çdo gjëje që adhurohet në vend të Tij, që të jetë pikërisht ky kuptimi i fjalës “la ilahe il-lAllah”.

Dhe në dy “Sahihet” është transmetuar hadithi i ebu Hurejres radij’Allahu anhu në lidhje me pyetjen e Xhebrailit ﷺ , i cili kur e pyeti Pejgamberin ﷺ rreth Islamit, Pejgamberi ﷺ tha:

«Islami është që ta adhurosh Allahun dhe të mos i shoqërosh Atij në adhurim asgjë, të falësh namazin…» e deri në fund të hadithit.

E bëri adhurimin e Allahut të Vetëm dhe mosshoqërimin e diçkaje në adhurim thelbin kuptimor të “la Ilahe il-la Allah”.

Pra, kuptimi i saj është pohimi i adhurimit të Allahut të Vetëm dhe veçimi i Tij subhanehu ue te’ala në adhurim, duke i përjashtuar të gjithë të tjerët dhe duke besuar te kotësia e adhurimit të të tjerëve përveç Tij subhanehu.

Ka thënë i Lartësuari:

{ذَ ٰ⁠لِكَ بِأَنَّ ٱللهَ هُوَ ٱلۡحَقُّ وَأَنَّ مَا یَدۡعُونَ مِن دُونِهِۦ هُوَ ٱلۡبَـٰطِلُ}

{Dhe kjo sepse Allahu është i Vërteti dhe (gjithë) ajo që ata adhurojnë përveç Tij është e kota} [el-Haxh: 62]

Ky është kuptimi i “la Ilahe il-la Allah”:

1) pohimi i adhurimit ndaj Tij të Vetëm. Kjo është ilahijah (ndaj Allahut, pra Teuhidi Uluhijeh).

2) (dhe) mohimi i asaj që e kundërshton atë.

Rrjedhimisht, nuk i lutesh vetëm se Allahut të Vetëm, nuk i kërkon ndihmë dikujt tjetër përveç Tij, nuk i mbështetesh dikujt tjetër përveç Tij, nuk falesh për dikë tjetër përveç Tij, nuk betohesh për të tjerët veç Tij, nuk bën kurban vetëm se për Të, e kështu me radhë.

Dhe me këtë mëson -o ti pyetës dhe dëgjues i nderuar- se shirku më i madh është ai që bëjnë disa injorantë nëpër varre ndaj disa eulijave, duke kërkuar ndihmë nga të vdekurit, duke iu lutur të vdekurve, pemëve dhe gurëve apo duke iu lutur idhujve dhe duke kërkuar ndihmë prej tyre. E gjithë kjo e kundërshton fjalën “la ilahe il-la Allah.”

Sa i takon dëshmisë “enne Muhameden Resulullah”, kuptimi i saj është besimi se me të vërtetë ai është i dërguari i Allahut me të drejtë dhe se Allahu e dërgoi atë te dy llojet -te xhinët dhe te njerëzit- si përgëzues dhe paralajmërues (alejhis salatu ues selām). Ai është vula e të dërguarve dhe nuk do të ketë pas tij të dërguar (alejhis salatu ues selām).

Këtë e ka thënë Allahu xhel-le ue álā:

{مَّا كَانَ مُحَمَّدٌ أَبَاۤ أَحَدࣲ مِّن رِّجَالِكُمۡ وَلَـٰكِن رَّسُولَ ٱللهِ وَخَاتَمَ ٱلنَّبِیِّـۧنَۗ}

{Muhamedi (alejhis salatu ues selām) nuk është i ati i askujt prej burrave tuaj, por ai është i Dërguari i Allahut dhe Vula e Profetëve!} [el-Ahzab: 40]

Dhe ka thënë i Lartësuari:

یَـٰۤأَیُّهَا ٱلنَّبِیُّ إِنَّاۤ أَرۡسَلۡنَـٰكَ شَـٰهِدࣰا وَمُبَشِّرࣰا وَنَذِیرࣰا ۝ وَدَاعِیًا إِلَى ٱللهِ بِإِذۡنِهِۦ وَسِرَاجࣰا مُّنِیرࣰ

{O ti i dërguar, Ne vërtet të kemi të dërguar si dëshmues, përgëzues dhe paralajmërues, si thirrës për tek Allahu me Lejen e Tij dhe si pishtar ndriçues.} [el-Ahzab: 45-46]

Ndaj, ai është i Dërguari i Allahut me të drejtë (alejhis salatu ues selām) dhe Allahu e dërgoi atë te të gjithë njerëzit për t’i thirrur ata në veçimin e Allahut në adhurim dhe për t’i paralajmëruar ata nga të bërit shok Atij në adhurim.

Ka thënë Allahu i Lartësuar:

{قُلۡ یَـٰۤأَیُّهَا ٱلنَّاسُ إِنِّی رَسُولُ ٱللهِ إِلَیۡكُمۡ جَمِیعًا}

{Thuaj (o Muhamed ﷺ): O ju njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut tek të gjithë ju!} [el-A’araf: 158]

Dhe ka thënë i Lartësuari:

{وَمَاۤ أَرۡسَلۡنَـٰكَ إِلَّا كَاۤفَّةࣰ لِّلنَّاسِ بَشِیرࣰا وَنَذِیرࣰا}

{Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed ﷺ) për të gjithë njerëzit, si përgëzues dhe paralajmërues!} [Sebe’: 28]

Bie detyrë mbi çdo musliman dhe muslimane, madje edhe për çdo njeri tjetër, që të besojë se Muhamedi (alejhis salatu ues selām) është i Dërguari i Allahut. Bie detyrë mbi çdo njeri që ka arritur moshën e pjekurisë nga muslimanët, jehudët, të krishterët dhe mbi të tjerët veç tyre, që të dëshmojnë se nuk ka të adhuruar që meriton të adhurohet përveç Allahut, që të veçojnë Allahun në adhurim dhe ta braktisin adhurimin e të tjerëve veç Tij, si psh idhujt, pemët, gurët, të dërguarit, eulijatë etj.

Ata e kanë detyrë që të besojnë se Muhamedi (alejhis salatu ues selām) është i Dërguari i Allahut dhe ta besojnë se ai është i Dërguari i Allahut me të drejtë, është vula e të dërguarve, është detyrë pasimi i tij dhe besimi në atë me të cilën ai erdhi, duke iu bindur urdhrave të tij dhe duke iu larguar ndalesave të tij. Duhet ta adhurojnë Allahun me sheriatin (ligjin) e tij -alejhis salaatu ues selām-, sheriat me të cilin ai erdhi dhe jo me teka, as me mendime personale dhe as me bidate (shpikje në çështjet fetare).

Ky është kuptimi i kësaj dëshmie, pra i dëshmisë “Muhamedi (alejhis salatu ues selām) është i Dërguari i Allahut”.

Këto dy dëshmi -ashtu siç parapriu- janë baza e fesë. Kush i shqipton ato dhe e beson kuptimin e tyre, atëherë ky është musliman dhe bie detyrë mbi të që të kryejë pjesën tjetër të detyrave, si namazi, zekati, agjërimi, haxhi, e të tjerat që ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij (alejhis salatu ues selām), si dhe bie detyrë mbi të që t’i shmanget atyre gjërave që ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij (alejhis salatu ues selām), si zinaja, vjedhja, ndërprerja e lidhjes me të afërmit dhe pjesa tjetër e gjërave të ndaluara.

Bie detyrë (mbi të gjitha!!) që t’i shmanget shirkut të madh, i cili është e kundërta e teuhidit. Teuhidi nuk plotësohet vetëm se me këtë shmangie. Gjithashtu, është detyrë që t’i shmanget asaj që ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij (alejhis salatu ues selām) prej fjalëve dhe veprave, gjë e cila shërben si plotësim i dy dëshmive. Allahu është Dhuruesi i suksesit.

https://binbaz.org.sa/fatwas/6940

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: