Loading

Shejkhu i nderuar Sulejman ibën Selimullah er-Ruhejlij -Allahu e ruajttë- u pyet me pyetjen vijuese:

Një vëlla thotë: esselamu alejkum ue rahmetullahi ue baraketuh! Shejkhu ynë, Allahu jua shpërbleftë me të mira dhe bëftë dobi përmes dijes suaj!

Këtu te ne kemi disa nxënës të dijes për të cilët nuk dimë veçse të mira. Madje Allahu ka sjellë dobi përmes tyre, sepse ata japin mësim disa libra në Akide dhe Sunnet. Më pas, na erdhën disa vëllezër dhe përhapën në mesin e nxënësve fjalë duke thënë se dija, së pari, merret nga të mëdhenjtë; dhe së dyti, personi që mban mësime duhet patjetër të ketë tezkijeh nga dijetarët.

Dhe kjo gjë çoi në braktisjen e disa mësimeve, ndërkohë që në zonën që jemi ne nuk ka mësime të tjera veç tyre. Cili duhet të jetë qëndrimi ynë rreth kësaj çështjeje? Shpresojmë nga ju një këshillë. Allahu ju bekoftë!

Shejkh Sulejman er-Ruhejlī:

Nuk ka dyshim që dija merret nga të mëdhenjtë dhe nuk ka dyshim se tezkija duhet me patjetër; por kush janë të mëdhenjtë? Janë ata të cilët i ka bërë të mëdhenj dija, ata që janë njohur me të, edhe pse mund të jenë të vegjël në moshë, pra, edhe nëse janë të rinj. Ka pasur të mëdhenj prej Sahabëve që ishin në moshë të re, ama u mor prej tyre dija dhe ajo dije “ndriçoi” dynjanë. Kjo është prej çështjeve shumë të rëndësishme (që duhen kuptuar): atë që është i vogël në moshë, mund ta bëjë të madh dija e tij: bëhet i njohur me dijen e madhe dhe të dobishme.

Dhe raste të tilla ka pasur shumë te selefët, duke filluar nga sahabët -riduan Allahi alejhim- e deri pas epokës së 4 imamllarëve. Patjetër që duhet tezkija, sepse dija është Fe, dhe duhet parë se nga kush e marrim fenë tonë.

Porse si bëhet tezkija? Tezkija bëhet me tri gjëra:

  1. Dijetarët me reputacion (të mirënjohurit) shkruajnë tekstualisht një tezkije për personin. Nuk po e kufizojmë tezkijen vetëm te një dijetar, as te dy dijetarë dhe as te tre: pra, një dijetar prej dijetarëve me reputacion -ose një grup prej tyre- shkruan se filanit i është dhënë tezkijeh dhe bën të merret dija prej tij.
  2. Personi në fjalë të njihet për mësimdhënie pa u kundërshtuar nga njerëzit e dijes: njihet se ai jep mësim dhe bëhet i njohur me këtë dhe njerëzit e dijes nuk e kundërshtojnë mësimdhënien e tij. Kjo është tezkijeh e heshtur.
  3. Forma e tretë -dhe kjo është shumë e rëndësishme- është që t’i bëjë tezkijeh dija e tij, dhe mos të dihet prej tij vetëm se Sunneti. Dua të them: ajo që ai posedon është hak, nuk merr vetëm se nga dijetarët e sunnetit, lexon librat e dijetarëve të sunnetit dhe nuk është refuzuar as për kundërshtimin e fjalës së dijetarëve me reputacion dhe as për kundërshtimin e Sunnetit. Një personi të tillë i bën tezkijeh dija e tij. Jo çdo nxënës dijeje të dobishëm e njohin dijetarët, ndaj shihet dija të cilën ai përçon: a jep mësim sunnetin? A i respekton mendimet e dijetarëve të Sunnetit? A e përçon fjalën e dijetarëve të Sunnetit? Nëse e bën këtë, atëherë këtë person e ka lavdëruar dija vetjake, kēshtu që merret dija prej tij.

E të thuash se nuk merret dija vetëm se prej atij që e kanë lavdëruar tekstualisht me shkrim dijetarët, kjo i mbyll dyert e hajrit. Në shumë vende ka nxënës të dijes që u mësojnë njerëzve sunnetin dhe shpjegimet e ehlus sunnetit, nxënës të cilët i mësojnë ata në bazë të asaj që kanë mësuar. Nga ana tjetër, ata nuk kanë tezkijeh nga një dijetar i caktuar, ama nuk dihet ndonjë kritikë e bërë ndaj dijes së tyre. Nëse do të thoshim se nuk merret dija prej tyre, nuk do mbetej dije në shumë vende, dhe kjo do mbyllte derën e hajrit. Që të çohen (pastaj) ithtarët e bidateve të japin mësim, ehlus-sunneti të rrijë pa bërë asgjë, dhe të fillojë pastaj ehlus-sunneti të mësojë nga ithtarët e bidateve apo të mësojë nga interneti etj, e tërë kjo nuk është e drejtë dhe nuk qëndron.

Atëherë themi: patjetër që duhet një tezkijeh dhe nuk është e drejtë që të tolerojmë dhe të marrim dije nga çdokush. Por si bëhet tezkija? Bëhet me shkrim nga një dijetar apo nga një numër dijetarësh me reputacion, të njohur për pasimin e sunnetit; bëhet me anë të famës (reputacionit të mirē), pa pasur kundërshtim nga dijetarët; bëhet me dije të saktë dhe të shëndoshë, e zbrazët nga kritika, me të cilën njihet nxënësi i dijes që jep mësim.

Pastaj, pa dyshim se detyra që obligohet mbi çdo njeri është që ai të ndalet brenda kufijve të asaj që ka mësuar, dhe të mos shtojë përtej saj: me aq sa ka dije, aq të mësojë edhe njerëzit.

Shumë prej vendeve të muslimanëve kanë nevojë për dikë që t’u mësojë bazat, ndaj ai i cili i di këto baza të ehlus-sunnetit dhe i mëson mirë ato, atëherë ky person i mëson njerëzit. Ama kjo nuk do të thotë se ai u bë Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh! Dua të them se disa nxënës dijeje marrin një libër apo dy libra, pastaj fillojnë dhe japin mësim dhe fillojnë të mburren, tē refuzojnë dijetarët e mëdhenj, të japin fetva për çdo gjë dhe të flasin me çdo gjë. Nuk ka dyshim që ky është devijim! Muhsin është ai i cili qëndron brenda kufijve të asaj që ka mësuar dhe përhap hajrin dhe sunnetin; dhe ne nuk na lejohet që të jemi pengesë për përhapjen e hajrit dhe sunnetit.

Kjo është ajo që kemi parë nga veprat e dijetarëve tanë, si shejkh Ibnu Bāzi rahimehullah dhe shejkh Ibnul Uthejmini rahimehullah, në marrëdhëniet e tyre me nxënësit e dijes. Ama sa për atë që dihet se i është bërë kritikë, ose ka në dijen e tij përzjerje (të hakut me batilin), ose është i panjohur në çdo aspekt, atëherë nga një person i tillë nuk merret dija; dhe Allahu e di më së miri.

Burimi: http://www.ajurry.com/vb/showthread.php?t=39319

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: