Loading

Transmetohet nga Aliu -Allahu qoftë i Kënaqur me të- se ka thënë:

Ishim në një xhenaze në “Bakiul Garkad” dhe erdhi i Dërguari i Allahut ﷺ. Ai u ul, po ashtu u ulëm dhe ne përreth tij, me vete kishte një shkop, uli kokën dhe po mendohej duke gërvishtur tokën me shkopin e tij dhe më pas tha:

«Nuk është askush prej jush dhe asnjë shpirt i krijuar që Allahu të mos ia ketë shkruar vendin në Xhennet apo në Zjarr dhe të mos e ketë shkruar të mjerë apo të lumtur»

Tha (Aliu): një burrë tha: o i Dërguari i Allahut! A të varemi tek ajo që është shkruar për ne dhe ta lemë punën?

Tha:

«Kushdo në mes nesh që është prej njerëzve të lumturisë do të bëjë vepra të njerëzve të lumturisë, ama kushdo në mes nesh që është prej njerëzve të mjerimit do të bëjë vepra të njerëzve të mjerimit»

Tha:

«Sa i takon njerëzve të lumturisë u lehtësohet atyre për të bërë vepra të njerëzve të lumturisë, ama njerëzve të mjerimit u lehtësohet atyre për të bërë vepra të njerëzve të mjerimit.»

Më pas lexoi: {Ai që jep lëmoshë dhe i frikësohet Allahut dhe dëshmon la ilahe il-la Allah. Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit. Kurse atij që është koprrac, ndihet i vetëmjaftueshëm dhe e përgënjeshtron fjalën la ilahe il-la Allah. Ne do t’ia lehtësojmë rrugën drejt së keqes.}

📚 Transmetoi el-Bukharij (1362) dhe Muslimi (2647).

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: