Loading

Shpjegime të vyera nga fekihu i nderuar, shejkh ibnu Uthejmin (rahimehullah):

Përkufizimi i tij: ato kafshë që theren ditët e sakrificës, për shkak të bajramit, si afrim tek Allahu i Lartësuar.

Gjykimi i tij: ai është prej adhurimeve të ligjësuara nëpërmjet Librit të Allahut, Sunnetit të të Dërguarit të Tij ﷺ dhe konsensusit të muslimanëve.

Vërejtje: Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh mendon se ai është vaxhib.

Koha e tij: fillimi i kohës sê tij është pas Faljes së Bajramit, ditën e sakrificës, ndërsa fundi i kohês së tij është me perëndimin e diellit të ditës së 13-të Dhul Hixhes. Sipas mendimit më të saktë, theret edhe gjatë ditës, edhe gjatë natës.

Për cilin theret kurban?

1- Për të gjallët; dhe kjo është orgjina.
2- Lejohet për të vdekurit, për asye të amanetit që ka lënë i vdekuri, ose për bamirësi në emër të tij.

Cilat janë kafshët që bëhen kurban dhe kush janë kushtet e tyre?

1- kafshët e buta:

A- deveja: për 7 veta;
B- lopa: për 7 veta;
C- bagëtitë: delja ose dhia për një njeri dhe për atë me të cilin ai dëshiron të ndajë shpërblimin.

2- kushtet e kafshës që theret:

A- që të jetë pronë e atij që do therë kurban;
B- që të theret në kohën e tij;
C- që të jetë nga këto tri lloje:

1- deve;
2- lopë;
3- bagëti, qofshin dele apo dhi.

D- të ketë arritur moshën e përcaktuar:

1- deve: 5-vjeçare;
2- lopë: 2-vjeçare;
3- bagëtitë: delja duhet e pakta 6-muajshe, ndërsa dhia e pakta 1-vjeçare.

E- të jetë pa të meta:

Të metat që pengojnë arritjen e shpërblimit:

A- kafsha me një sy, e cila duket qartë që ka një sy;
B- ajo kafshë që është e sëmurë rëndë;
C- kafsha që çalon dhe duket qartë që çalon;
D- kafsha e dobët, e cila nuk ka palcë në kockat e saj;
E- ajo prej deleve që e ka këmbën të prerë.

Të metat e padëshiruara:

A- ajo që e ka bririn të thyer ose veshin të prerë;
B- ajo që i është shqyer veshi;
C- ajo deve, lopë apo dhi që i është prerë këmba;
D- ajo që i është prerë organi gjenital; ndërsa lejohet ajo që ka të prerë testikujt.

Çfarë duhet të shmangë ai që dëshiron të bëjë kurban?

Në 10 ditët e para të Dhul Hixhes, i ndalohen këto gjëra:

1- prerja e flokëve dhe qimeve trupore;
2- heqja e lëkurës;
3- prerja e thonjve (lejohet vetëm në rast nevoje);

ndërsa ai që ther për të tjerët, nuk e ka për detyrë t’i shmangë këto.

Edukata e tij:

1- që ta marrë vetë përsipër therjen e tij, si mashkulli, ashtu edhe femra;
2- një të tretën ta hajë, një të tretën ta dhurojë dhe një të tretën të bëjë bamirësi.

📚 “Mexhmu’u Feteua” esh-shejkh ibnu Uthejmin (25/167)

Mënyra e saktë e therjes së kurbanit

Shejkh Ibnu Uthejmin -Allahu e mëshiroftë- thotë:

Nëse e ther me dorën e djathtë, e shtrin nga krahu i majtë; nëse e ther me dorën e majtë, atëherë e shtrin nga krahu i djathtë. Qëllimi me këtë është rehatia e kafshës, sepse kur njeriu ther me të majtën, kafsha nuk rehatohet vetëm se kur e kthen atë nga krahu i djathtë (dhe anasjellas).
Krahas kësaj, gjatë therjes, më e mira është që të vendosë këmbën e tij në qafën e saj.

Sa i takon duarve dhe këmbëve të saj, më e mira është që ato të jenë të lira, jo të lidhura; kjo është më e rahatshme për të dhe më e mirë për nxjerrjen e gjakut prej saj, sepse gjaku del me lëvizjen e saj, ndaj kjo është më e mirë.

📚 “Fetaua Nuri aled derb” (kaseta nr. 13)

Është prej Sunnetit që gjatë therjes të vendoset këmba mbi qafën e kurbanit

Transmetohet nga Enesi -Allahu qoftë i Kënaqur prej tij- se kur Profeti ﷺ bëri kurban dy desh me brirë, ua vendosi këmbën në anën e tyre dhe tha:

«Bismil-lah, Allahu Ekber!»

📚 Muttefekun alejhi

Thika nuk duhet mprehur para kurbanit dhe nuk duhet që kafsha ta shohë atë, përveçse në çastin e therjes

Transmetohet nga Ibnu Abbasi -Allahu qoftë i Kënaqur prej të dyve- se një burrë e shtriu dashin e tij ndërsa ishte duke mbrehur thikën. Atëherë, Profeti ﷺ i tha:

«A dëshiron ta vdesësh dy herë?! A nuk e mprehe thikën përpara se ta shtrish?!»

📚 “Sahihu Et-Tergib ue et-Terbib” (2266)

Shejkh ibnu Uthejmini -Allahu e mëshiroftë- thotë:

E fsheh thikën që të mos e shohë kafsha në çastin e therjes.

Imam Ahmed -Allahu e mëshiroftë- thotë:

Shkohet te vendi i therjes në mënyrë të butë dhe e fsheh thikën prej kafshës dhe nuk e shfaq përveçse në çastin e therjes.

📚 “el-Ehkamul ed’hijeh” (fq. 30)

Kurbani nuk duhet therur në sy të kafshës tjetër

Shejkh ibnu Uthejmin -Allahu e mëshiroftë- thotë:

Nuk e ther atë ndërkohë që tjetra është duke parë, sepse ajo frikësohet kur sheh motrën e saj të shtrirë, duke u therur.

📚 “Fetaua Nuri aled derb” (kaseta nr. 93)

Tërheqja e kafshës me butësi për në vendin e therjes

Transmetohet nga Muhamed ibnu Sirin -Allahu e mëshiroftë- se Umeri -Allahu qoftë i Kënaqur prej tij- pa një burrë duke e tërhequr zvarrë dashin, për ta therur. Ai e goditi me shkop dhe i tha: çoje bukur drejt vdekjes!

📚 “Es-Silsiletus Sahihah” (30)

Sunneti është që kafsha të kthehet nga kiblah

Shejkh el-Albanij -Allahu e mëshiroftë- thotë:

Sunneti është që ai ta therë me dorën e tij, nëse i lehtësohet kjo gjë; nëse jo, ngarkon dikë në vend të tij dhe e ther atë, të kthyer nga kiblah.

Ka hadith merfu nga Xhabiri -Allahu qoftë i Kënaqur prej tij- te Ebu Daud etj; njëri është shënuar në “el-Irua” (1138) dhe tjetri tek el-Bejhakiu (9/285).

Është transmetuar nga Ibnu Umeri se ai, kur therte, pëlqente që të kthehej nga kiblah.

📚 “Menasik el-Haxhi ue el-Umrah.

A është e urryer therja në drejtim tjetër përveç kibles?

Shejkh ibnu Uthejmin -Allahu e mëshiroftë- thotë:

Fukahatë -Allahu i mëshiroftë- nuk kanë përmendur argument për këtë, por më e shumta që mund të jetë, është ajo që është përmendur në lidhje me Profetin ﷺ, i cili, kur e drejtoi kurbanin, tha: Bismilah, uAllahu Ekber!

Kuptimi i “Kur e drejtoi”: e drejtoi drejt kiblës.

Kjo tregon se drejtimi drejt kibles është sunnet, dhe nuk është kusht që lënia e sunetit të nënkuptojë urrejtjen.

📚 “et-At’imeh” (kaseta nr. 4)

Çfarë thuhet gjatë therjes?

Transmetohet nga Aishja -Allahu qoftë i Kënaqur prej saj- se i Dërguari i Allahut ﷺ tha:

«Bismilah! Allahumme tekabbel min Muhamedin, ue ali Muhamedin, ue min ummeti Muhamedin…»

«Me Emrin e Allahut! O Allah, pranoje prej Muhamedit, prej familjes së Muhamedit dhe prej ummetit të Muhamedit..!»

📚 Transmetoi Muslimi (1967)

Dhe në një hadith tjetër:

Transmetohet nga Xhabiri -Allahu qoftë i Kënaqur prej tij- se Profeti ﷺ, gjatë therjes thoshte:

«Bismilah, uAllahu Ekber, hadha annij, ue am-men lem judah-hi min ummetij»

«Me Emrin e Allahut! Kjo është është për mua dhe për atë nga ummeti im që nuk ka bërë kurban!»

📚 Transmetoi et-Tirmidhij (1521); e saktësoi el-Albanij në Sahih Et-Tirmidhij.

Dhe në një hadith:

«Bismilah, uAllahu Ekber, Allahumme inne hadha minke ue leke, Allahumme takabbel minij.»

«Me Emrin e Allahut! Allahu është më i Madhi! O Allah, kjo është prej Teje dhe (por theret me sinqeritet vetëm) për Ty! O Allah, pranoje prej meje!»

📚 “el-Irua el-Galil” (1138) & (1152)

Ka thënë shejkh ibnu Uthejmin -Allahu e mëshiroftë-:

Në çastin e therjes thuhet:

«Bismilah, uAllahu Ekber, Allahumme inne hadha minke ue leke, Allahumme hadha ‘anij ue ‘an ehli bejtij»

«Me Emrin e Allahut! Allahu është më i Madhi! O Allah, kjo është prej Teje dhe (po theret me sinqeritet vetëm) për Ty! O Allah, kjo është për mua dhe për familjen time!»

📚 “Mexhmu’ul Feteui” (25/55)

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: