Loading

📝 Dijetarët janë ndarë në mendime se çfarë gjykimi ka shkurtimi i Namazit në udhëtim:

1- Kanë thënë tre Imamët: Ai është i lejuar, ndërsa plotësimi i tij është më i mirë… janë argumentuar me fjalën e Allahut të lartësuar:

وَإِذَا ضَرَبۡتُمۡ فِی ٱلۡأَرۡضِ فَلَیۡسَ عَلَیۡكُمۡ جُنَاحٌ أَن تَقۡصُرُوا۟ مِنَ ٱلصَّلَوٰةِ

{Kur të udhëtoni, nuk është gjynah për ju që ta shkurtoni namazin} [en-Nisā: 101]

Ata kanë thënë: fjala (nuk është gjynah) nënkupton leje dhe jo detyrim.

Kanë thënë gjithashtu: se Sahabët e të Dërguarit ﷺ kanë udhëtuar me të, kishte prej tyre që e shkurtonin dhe kishte prej tyre që e plotësonin, dhe nuk e fajësonin njëri-tjetrin për këtë; nga ata që e plotësonin ishte Uthmani dhe Aishja -radij Allahu anhuma-.

2- Ebu Hanifja ka thënë: që është vaxhib shkurtimi, sepse fjala: “është bërë detyrë” në hadith do të thotë: detyrim, edhe sepse i Dërguari ﷺ i ka shkurtuar gjithmonë…

Hadith: Transmeton Enesi -radij Allahu anhu-: “I Dërguari i Allahut ﷺ nëse udhëtonte në një distancë prej 3 miljesh ose 3 ‘ferasikh’ e falte namazin dy rekate” Transmeton Muslimi (1/481) dhe (691)

📝 Mesele: Kur e fillon udhëtari shkurtimin e namazit?

Ka thënë autori i librit “Reudul Murbi’i”: Nëse banori largohet nga vendi (qyteti, fshati) i tij e shkurton namazin, sipas tre imamëve dhe shumicës së dijetarëve prej Sahabëve dhe atyre që kanë ardhur pas tyre, ndërsa ibnul Mundhiri ka transmetuar se ka ixhm’a, sepse Allahu e ka lejuar shkurtimin për atë që udhëton, ndërsa përpara udhëtimit nuk konsiderohet udhëtar, sepse pejgamberi ﷺ e shkurtonte namazin vetëm kur ishte nisur për rrugë.

📝 Mesele: Dijetarët janë ndarë në mendime sa i përket distancës e cila bën të mundur shkurtimin e namazit dhe bën të lejuar lejet e udhëtimit

1- Ebu Hanifja ka mendimin se: distanca e cila bën të mundur shkurtimin e namazit është udhëtimi tre ditor, sipas ecjes së devesë, dhe nuk lejohet më pak sesa kjo distancë.

2- Tre Imamët kanë mendimin se: distanca më e vogël për shkurtimin e namazit është dy ditë sipas ecjes së devesë….dhe sipas llogaritjeve është e barabartë me 77 km, edhe nëse e bën këtë distancë për 1 orë, siç bëhet me anë të makinës apo fluturuesit etj…

Shumë nga dijetarët hulumtues kanë mendimin: se nuk ka argument të qartë dhe të saktë për përcaktimin e distancës, por Allahu i Madhëruar i ka lejuar lejet e udhëtimit dhe nuk ka vënë as kohë dhe as distancë, çdo gjë që konsiderohet udhëtim bën të lejuar lejet e udhëtimit.

Ka thënë shejkhul Islam -Allahu e mëshiroftë-: dallimi mes udhëtimit të gjatë dhe të shkurtër nuk ka bazë në Librin e Allahut dhe as në sunnetin e të Dërguarit të Tij ﷺ, por rregullat që ka vendosur për udhëtimin janë të përgjithshme, kjo gjë pastaj i kthehet traditës dhe ai që është udhëtim sipas traditës së njerëzve, atëherë ai është i tillë…

Ka thënë ibnul Kajjim -Allahu e mëshiroftë-: Pejgamberi ﷺ nuk ka përcaktuar një distancë për shkurtimin e namazit për ummetin e tij dhe e ka përgjithësuar si udhëtim.

Hadith: Nga ibën Abaasi transmetohet se ka thënë: “qëndroi pejgamberi ﷺ19 ditë dhe e shkurtonte namazin” në një trasmetim tjetër: “qëndroi në Meke 19 ditë…” Transmeton el-Bukhari.

  • Dhe në një trasmetim të Ebu Daudit: “17 ditë”
  • Në një trasmetim tjetër: “15 ditë”…
  • Në një trasmetim tjetër të Bukharit nga ‘Imran bin Husejn: “18 ditë”…
  • Dhe në një trasmetim tjetër nga Xhabiri: “Qëndroi në Tebuk 20 ditë duke e shkurtuar Namazin”

📝 Mesele: Dijetarët janë ndarë në mendime sa i përket kohës së qëndrimit në një vend, të cilën nëse e kalon e plotëson namazin e tij:

1- Ibën Abbaasi -radij Allahu anhu- ka thënë: periudha më e pakët e qëndrimit është 10 ditë, sipas fjalës së Aliut -radij Allahu anhu-: Nëse qëndron 10 ditë, atëherë plotësoje namazin.

2- Kanë thënë Hanefitë: 15 ditë, duke u argumentuar me një nga transmetimet e ibën Abbaasit.

3- Malikitë dhe Shafi’të mendojnë: se më e pakta është 4 ditë, dhe kjo është transmetuar nga Uthmani -radij Allahu anhu- duke mos llogaritur 2 ditët, hyrjen dhe daljen…

📝 Sa i përket mëdyshjes së udhëtarit për periudhën e qëndrimit, i cili nuk e ka vendosur se sa do qëndroj edhe për këtë çështje ka dallime në mesin e dijetarëve:

1- Kanë thënë disa dijetarë: e shkurton namazin deri në një muaj, sipas fjalës së Aliut -radij Allahu anhu-: “Ai që thotë: do të nisem sot, do të nisem nesër, e shkurton namazin një muaj”.

2- Ebu Hanifja dhe pasuesit e medh’hebit Hanefi dhe ky është një nga mendimet e Shafi’ut kanë mendimin: se ai e shkurton në vazhdimësi sepse origjina është udhëtimi, duke u bazuar tek veprimi që ka bërë ibnu Umeri -radij Allahu anhuma-: ai qëndroi në Azerbajxhan 6 muaj duke e shkurtuar Namazin, është transmetuar nga Enes bin Malik -radij Allahu anhu- se ai qëndroi në Nisajbur 1 vit apo 2 vjet dhe e shkurtoi namazin, gjithashtu transmetohet nga disa Sahabë se qëndruan Beramehurmuz 9 muaj dhe e shkurtuan Namazin.

Nëse nuk ka argument për caktimin e periudhës së qëndrimit, ajo më afër së vërtetës është që ai vazhdon ta shkurtoj, ashtu siç kanë vepruar Sahabët…

📚 Shkëputur në mënyrë të përmbledhur nga libri: “Teudihul Ahkam min Bulugil Marām” të shejkh Abdullah El-Bessam.

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: