Pyetje drejtuar al-lameh Abdul-Aziz ibnu Bāzit, Allahu e mëshiroftë:
Unë jam një grua e martuar me një burrë që nuk falet; me të kam dy fëmijë. Unë falem dhe përkujdesem për adhurimin tim; e kam ftuar atë shumë herë për të falur namazin, mirëpo nuk pranon dhe më thotë: feja është sjellje e mirë dhe virtyte; ajo nuk është me lëvizje dhe rekate.
Sa për çështjet e tjera të dynjasë, në to është korrekt.
Pyetja ime është: A është hallall apo haram qëndrimi im me të? Nga ana tjetër, dua t’ju bëj me dije se ndarja ime me të, i ndan fëmijët e mi dhe ma shkatërron familjen; sidoqoftë, frika nga Allahu më bën që t’ju pyes dhe dua të di gjykimin e Allahut. Allahu ju bëftë dobi!
Përgjigje: Nuk lejohet qëndrimi me këtë burrë që nuk falet, sepse kjo tregon për fenë e tij të dobët ose (thënë saktë) për mungesën e plotë të fesë tek ai. Namazi është shtyllë e Islamit,dhe ai që e lë atë qëllimisht, ka bërë kufër! Është detyrë mbi ty largimi nga ky njeri! Mos e lër të të afrohet dhe, derisa ai të pendohet tek Allahu dhe të fillojë të falet, ti shko te familja jote.
Pejgamberi ﷺ ka thënë:
«Marrëveshja në mes nesh dhe atyre është namazi; ai që e braktis atë ka bërë kufër!»
E ka transmetuar el-Imam Ahmed dhe autorët e katër librave të suneneve, me zinxhir të saktë nga Burejdeh -radij’Allahu anhu-.
Muslimi, në Sahihun e tij, ka transmetuar nga Xhabiri -radij’Allahu anhu- dhe ky nga Pejgamberi ﷺ se ka thënë:
«Në mes njeriut, kufrit dhe shirkut është lënia e namazit!»
Namazi është shtyllë e Islamit, dhe ai që e lë atë qëllimisht, ka bërë kufër! Allahu na ruajttë! Ai (namazli) që ka harruar, e fal kur t’i kujtohet; ai që ka qenë në gjumë, e fal kur të zgjohet; kurse ai që e lë me qëllim, sipas mendimit më të saktë prej dy mendimeve të dijetarëve, është kafir.
Nga ana tjetër, një grup prej njerëzve të dijes kanë mendimin se ai, me këtë lënie, nuk bën kufër të madh, pra, kufêr që të nxjerr nga Islami, por kufri i tij është kufër i vogël, i cili nuk të nxjerr nga Islami, sepse Pejgamberi -alejhis salātu ues selām- nuk e quajti kafir. Sidoqoftë, ky është mendim i dobët, dhe
✅ Mendimi i saktë është se ai ka bërë kufër të madh, i cili të nxjerr nga Islami.
Abdullah ibnu Shakik el-Ulejlij -radij’Allahu anhu- ka thënë se shokët e Pejgamberit ﷺ, përveç lënies së namazit, nuk e shihnin kufër lënien e diçkaje tjetër prej veprave. Pra, ka treguar nga të gjithë sahabët se ata e konsideronin lënësin e namazit kafir; dhe ajo që është e dukshme nga kjo që ka transmetuar prej tyre, është se sahabët e konsideronin lënien e namazit si kufër të madh, pra, kufêr që të nxjerr nga Islami.
Rrjedhimisht ajo që bie detyrë mbi ty, o motër në fe, është që ta braktisësh këtë burrë, dhe, derisa të pendohet tek Allahu, mos ta lësh të të afrohet dhe mos të qëndrosh me të.
Sa për fjalën e tij “Feja është sjellje e mirë”, kjo nuk është e saktë! Përkundrazi, sjellja e mirë është prej fesë, ama nuk është vetë feja; feja është sjellje e mirë me Allahun, me robërit e Tij, por ajo nuk është vetëm sjellje e mirë; prej sjelljes së mirë është edhe kryerja e namazit.
Nëse ka pasur për qëllim të sjellurit mirë me Allahun dhe robërit e Tij, atëherë ajo sjellje nuk konsiderohet e mirë vetëm se duke kryer obligimet e Allahut dhe duke lënë gjërat e ndaluara; ai që nuk i kryen obligimet e Allahut, nuk kryen namazin apo kryen vepra të ndaluara, nuk e ka plotësuar sjelljen e mirë dhe nuk ka ardhur me të (me sjelljen që i kërkohet).
Feja është të sjellurit mirë me njerëzit në shitblerje, në marrëdhëniet në mes njerëzve, në shoqëri, etj; të sjellurit mirë me Allahun është kur kryhen obligimet e Tij, dhe nuk është thjesht të sjellurit mirë me njerëzit. Përkundrazi, duhet patjetër sjellja e mirë me Allahun, duke kryer obligimet e Tij dhe duke lënë gjërat e ndaluara.
Ajo që bie detyrë mbi ty është frika ndaj Allahut dhe të ruhesh nga qëndrimi me këtë njeri. Lusim Allahun që ta udhëzojë!
Nëse e mohon që namazi është detyrim dhe thotë se ai nuk është detyrim, apo tallet me ata që falen, kjo, me konsensus të dijetarëve dhe të muslimanëve, është kufër. Lusim Allahun të na ruajë!
http://www.binbaz.org.sa/noor/3516
Përktheu: Abdur-Rahman Mema