Loading

Ka thënë Allahu i Lartësuar:

ٱلصَّـٰبِرِینَ وَٱلصَّـٰدِقِینَ وَٱلۡقَـٰنِتِینَ وَٱلۡمُنفِقِینَ وَٱلۡمُسۡتَغۡفِرِینَ بِٱلۡأَسۡحَارِ [آل عمران: ١٧]

{Durimtarët, të sinqertit, adhuruesit e Allahut me përkushtim, dhënësit e Zekatit dhe kërkuesit e faljes në orët e fundit të natës} [El Imran: 17]

Ka thënë hafizi ibnu Kethir -Allahu e mëshiroftë- në komentimin e këtij ajeti:

Kjo tregon për vlerën e kërkimit të faljes në kohën syfyrit.

Është thënë se Ja’kubi -alejhis selam- kur u tha bijve të tij:

{Do t’i kërkoj Zotit tim t’ju falë} [Jusuf: 98]

I vonoi ata deri në kohën e syfyrit.

Është vërtetuar në dy Sahihet dhe jo vetëm, nga një grup sahabësh, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

«Allahu -tebareke ue te’ala- zbret çdo natë në qiellin e dynjasë kur mbetet nga nata një e treta e fundit të saj dhe thotë: a ka ndonjë që kërkon që t’ja japë atë? A ka ndonjë lutës që t’i përgjigjem? A ka ndonjë kërkues falje që ta fal atë?»

Në dy sahihet nga Aishja -Allahu qoftë i Kënaqur prej saj- se ka thënë:

Çdo natë, i Dërguari i Allahut ﷺ e falte vitrin herë në fillim, herë në mes të saj dhe herë të tjera në fund të saj dhe e përfundonte vitrin e tij në syfyr (në fundin e natës).

Abdullah ibnu Umer falej gjatë natës, pastaj thoshte: o Nafi’, a ka afruar koha e syfyrit? Nëse i thoshte: po, i përkushtohej duasë dhe kërkimit të faljes derisa të agonte, e transmetoi ibnu Ebij Hātim.

Ka thënë ibnu Xherir -Allahu e mëshiroftë-:

Na ka treguar ibnu Ueki’u, se ka thënë: na ka treguar babai nga Hurejth ibnu ebij Matar nga Ibrahim ibnu Hatib dhe ky nga babai i tij se ka thënë:

Dëgjova një burrë në një cep të xhamisë duke thënë: o Zoti im, më urdhërove dhe unë t’u binda dhe kjo është koha e syfyrit, ndaj më fal mua.

Vura re se ishte ibnu Mes’udi -Allahu qoftë i Kënaqur prej tij-.

Ka transmetuar ibnu Merdeuejh nga Enes ibnu Malik -Allahu qoftë i Kënaqur prej tij- se ka thënë:

Jemi urdhëruar që kur të falemi gjatë natës të kërkojmë falje në fund të syfyrit 70 herë.

📚 “تفسير ابن كثير”

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: