Shejkh Alí el-Haddadí, Allahu e ruajttë, thotë:
Prej vlerave të Teuhidit janë:
1) Realizimi i sigurisë për veçuesin e Allahut në adhurim.
Ka thënë Allahu i Lartësuar:
الذين آمنوا ولم يلبسوا إيمانهم بظلم أولئك لهم الأمن وهم مهتدون
{Sa për ata që besuan dhe nuk e përzjenë besimin e tyre me padrejtësi, pikërisht atyre u takon siguria dhe të tillët janë të udhëzuar!} [El En’am: 82]
Domethënia: atyre të cilëve e veçuan Allahun e Lartësuar në adhurim dhe nuk e përzjenë me shirk (politeizëm) besimin e tyre në Allah, u takon siguria prej Dënimit të Allahut të Lartësuar. Kjo sepse Allahu Azze ue Xhel’le nuk e lë përgjithmonë në Zjarr atë që vdes në Teuhid.
Ka thënë i Lartësuari:
{ألا إن أولياء الله لا خوف عليهم ولا هم يحزنون}
{Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye as për t’u frikësuar e as për t’u dëshpëruar!} [Junus: 62]
Dhe ka thënë i Lartësuari për veçuesit e Allahut në adhurim:
تتنزل عليهم الملائكة أن لا تخافوا لا تحزنوا وأبشروا بالجنة التي كنتم توعدون
{do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u dëshpëroni! Gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar!} [Fussilet: 30]
Pastaj, nëse realizimi i Teuhidit (veçimit të Allahut në adhurim) realizohet plotësisht dhe nuk e përzien me diçka prej shirkut (politeizmit) -me shirk të madh apo të vogël; me shirk që bëhet me fjalë apo me vepra; me shirk të dukshëm apo të fshehtë- atëherë realizuesi është prej njerëzve të sigurisë së plotë dhe për të nuk ka dënim.
Nëse njeriu e përzien Teuhidin me diçka prej shirkut të vogël apo me diçka që (gjithashtu) e kundërshton plotësimin e tij të detyrueshëm, atëherë tek ai pakësohet siguria po aq sa ai pakëson prej realizimit dhe plotësimit të Teuhidit.
2) Udhëzimi dhe shpëtimi nga devijimi.
Ka thënë Subhanehu në ajetin e mëparshëm:
{…أولئك لهم الأمن وهم مهتدون}
{…pikërisht atyre u takon siguria dhe të tillët janë të udhëzuar!}
Pa dyshim, i udhëzuari i vërtetë është ai që e njeh Zotin e tij, e veçon Atë në adhurim dhe vetëm Atij i lutet, me sinqeritet, ashtu siç e ka ligjësuar Allahu i Lartësuar. Ama, ai që nuk e njeh Teuhidin dhe nuk e adhuron me sinqeritet Zotin e tij, është i devijuar e jo i udhëzuar!
Kjo sepse udhëzimi është ndjekje e rrugës që të shpie te Mëshira e Allahut dhe te Xhenneti e Kënaqësia e Tij; e nuk të çon drejt tyre vetëm se Teuhidi!
Ai që e veçon Allahun në adhurim, është i udhëzuar. Sa për atë që i shoqëron Allahut të tjerë veç Tij në adhurim, ai ka devijuar me një humbje të qartë.
3) Teuhidi është shkaku kryesor për futjen në Xhennet.
Ka thënë Profeti ﷺ:
«Atë që dëshmon se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij, se Isa është rob i Allahut, i Dërguar i Tij, Fjala e Tij të cilën ia komunikoi Merjemes dhe shpirt prej Tij (i krijuar prej Allahut), dhe se Xhenneti është i vërtetë e Zjarri është i vërtetë, Allahu e fut në Xhennet me ato vepra që ka, qofshin edhe pak!» [Muttefekun alejhi]
Domethënia: Teuhidi, i cili është veçimi i Allahut me adhurim dhe besimi në atë që Ai ka urdhëruar për të besuar, e bën detyrë, me Lejen e Allahut, futjen në Xhennet të atij që e posedon atë (Teuhidin), me ato vepra që ka, qofshin ato edhe pak.
Kuptimi i kësaj është se ai që e veçon Allahun në adhurim, do futet në Xhennet, mirëpo grada e tij aty është në varësi të veprave. Ka prej njerëzve që janë në Firdeusin më të lartë; ka prej tyre që janë në Xhennetin e mesit dhe ka prej tyre që janë në Xhennetin më të ulët.
Gjithashtu, kush vdes në Teuhid, edhe nëse ka bërë ato që ka bërë prej gjërave të ndaluara, patjetër që do futet në Xhennet, qoftë edhe sikur të dënohet në Zjarr para hyrjes. Sidoqoftë, përfundimi i çështjes së tij, me Mirësinë dhe Mëshirën e Allahut, është në Xhennet.
4) Allahu ia ka ndaluar Zjarrit tërë veçuesit e Tij në adhurim.
Është vërtetuar nga ai ﷺ se ka thënë:
«Vërtet, Allahu ia ka ndaluar Zjarrit atë që thotë “La ilāhe il-la Allah” duke kërkuar me të Fytyrën e Allahut!»
Domethënia: kush e thotë fjalën e Teuhidit, duke besuar dhe vepruar me të, haptazi dhe fshehtazi, me çiltërsi, sinqeritet dhe dije, atëherë Allahu i Lartësuar ia ndalon Zjarrit atë njeri dhe rrjedhimisht ai (Zjarri) nuk e prek atë. Ai njeri nuk hyn në të!
Njeriu, nëse vjen me Teuhidin e formës së plotë, apo me Mirësinë e Faljen e Allahut ndaj tij, nuk do hyjë në Zjarr, qoftë edhe nëse ka ardhur me diçka që meriton ndëshkimin.
Gjithashtu, (njeriut me teuhid) i ndalohet futja e përhershme në Zjarr. Nëse ndodh prej tij diçka nga të metat që meritojnë futjen në Zjarr, ai (nëse nuk e fal Allahu) futet në të, dënohet derisa të pastrohet, e pas kësaj futet në Xhennet.
5) Shpërblimi tij në peshore është më i rëndë se qiejt dhe toka.
Transmeton ibnu Hibbani dhe Hakimi -dhe ky i fundit e ka saktësuar transmetimin- nga Profeti ﷺ se Musa alejhis selām ka thënë: “Zoti im, më mëso diçka me të cilën të të përmend dhe të të lutem.”
Tha (kuptimi shqip i Fjalës së Allahut):
{“O Musa, thuaj “La ilāhe il-la Allah!”}
Tha: “O Zoti im, të gjithë robërit e Tu e thonë këtë!”
Tha (kuptimi shqip i Fjalës së Allahut):
{O Musa, sikur përveç Meje, shtatë qiejt me banorët e tyre, e gjithashtu shtatë tokat, të vendoseshin në një anë të peshores, kurse fjala “La ilahe il-la Allah” të vendosej në anën tjetër të saj, peshorja do të anonte nga ana e fjalës “La ilahe il-la Allah”!}
Pra, shiko o rob i Allahut te shpërblimi i madh i Teuhidit! Përveç Allahut, ai është më i rëndë se pesha e shtatë qiejve, me ç’ka në to, dhe pesha e shtatë tokave gjithashtu me ç’ka në to.
Kësisoj, thuajeni sa më shumë fjalën
“La ilahe il-la Allah” dhe realizojeni punën me të! Ajo (puna) është qëllimi kryesor i saj.
6) Realizimi i Teuhidit është shkak për shlyerjen e gjynaheve, sado qofshin ato.
Et-Tirmidhij, Allahu e mëshiroftë, transmeton -dhe e ka saktësuar transmetimin- prej Enes ibnu Malikut se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
«Allahu i Lartësuar ka thënë (kuptimi shqip i Fjalës së Tij):
{O biri i Ademit, nëse do vije me gjynahe sa madhësia e tokës, ama pa më shoqëruar dikë në adhurim, Unë do vij sa madhësia e saj me Falje!}»
Përktheu: Abdur-Rahman Mema