Transmetohet nga ibnu Abbāsi -Allahu qoftë i Kënaqur prej tyre- se ka thënë:
Ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ:
«Kur ishte nata gjatë së cilës u mora për udhëtim, më erdhi një aromë e mirë. I thashë: o Xhibril, çfarë është kjo aromë e mirë?
Tha: kjo është aroma e floktares së bijës së Faraonit dhe fëmijëve të saj (floktares).
Tha: i thashë: si është çështja e saj?
Tha: një ditë kur ajo po i krihte flokët bijës së Faraonit, i ra krehëri nga duart dhe tha: bismilah (me Emrin e Allahut). E bija e Faraonit i tha: kush, babai im?
Ajo i tha: jo, përkundrazi! Zoti im dhe i babait tënd është Allahu!
Ajo i tha: a t’i them babait për këtë?
Ajo i tha: po.
Kështu, ajo e njoftoi atë.
Ai e thirri atë dhe i tha: o filane! A ke ti Zot tjetër përveç meje?
Ajo i tha: po, Zoti im dhe Zoti yt është Allahu.
Ai urdhëroi që t’i sillnin një kazan të madh prej bakri dhe e nxehën, më pas urdhëroi që ta hidhnin në të atë së bashku me fëmijët e saj.
Ajo i tha atij: kam një kërkesë për ty.
Ai tha: cila është kërkesa jote?
Tha: dua që t’i mbledhësh kockat e mia dhe fëmijëve të mi në një rrobe të vetme dhe të na varrosësh.
I tha: kjo është e drejta jote ndaj nesh.
Tha: ai urdhëroi që t’i hidhnin fëmijët e saj një e nga një para syve të saj, derisa i erdhi rradha foshnjës së saj që ushqehej me qumësht gjiri. Ajo ngurroi për shkak të tij.
Ai (foshnja) i tha: O nënë, hidhu! Vërtet, dënimi i dunjasë është më i lehtë sesa ai i Botës Tjetër. Kështu ajo u hodh!!!»
Ibnu Abbasi -Allahu qoftë i Kënaqur prej tyre- tha:
Katër veta kanë folur të vegjël: Isai, i biri i Merjemes -alejhis selām-, shoku i Xhurejxhit, dëshmitari i Jusufit dhe i biri i floktares së Faraonit.
أخرجه الإمام أحمد في “المسند” (1/309)، والطبراني (12280)، وابن حبان (2903)، والحاكم (2/496)
✔️ Hadithin e ka vlerësuar hasen hafizi edh-Dhehebij në “el-Ulu” (fq. 84), hafizi bnu Kethir në Tefsirin e tij (3/15) dhe shejkh Ahmed Shakir në komentet e tij të Musnedit të imam Ahmedit (4/295)
Përktheu: Abdur-Rahman Mema